Limaj të rinjve: Mos hiqni dorë nga vendi, të bëhemi bashkë në shtetndërtim

19 nëntor 2018 | 18:54

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka vazhduar turin e takimeve me të rinjtë e Nismës.

Limaj të hënën ka takuar të rinjtë e Nismës në Shtime para të cilëve ka shpalosur planin për rininë, i cili tha se duhet të implementohet anekënd Kosovës.

Ai tha se Nisma zotimet e veta gjatë fushatës i ka bërë pjesë të programit qeveritar duke përmendur programin e Vetëpunësimit dhe Qendrat e Aftësimit Profesional.

I pari i Nismës ka ftuar të rinjtë e Nismës të jenë pjesë e këtyre projekteve.

“Ne duam bashkë me ju të fillojmë të zgjedhim problemet. Nuk ka mundësi që një rini siç e ka Kosova mos ta ketë një objektiv të përbashkët. Ne po duam të ngritim rininë, të bëhemi bashkë që secili me mundësinë e vet ta bëjë një punë të mirë për vendin. Kur kemi qenë në moshën tuaj, nuk kemi mundur të planifikojmë shumë gjëra. Për me tepër nuk kemi mund as t’i ëndërrojmë sepse kemi qenë të robëruar. Cila është ëndrra e të rinjve sot në Kosovë. A ka diçka në shpirtin rinor që kthehet në mobilizim dhe frymëzim”, ka thënë Limaj para të rinjve në Shtime.

Më tutje, Limaj iu ka thënë të rinjve se jashtë vendit askush nuk i pret me lule. 

Ai ka thënë se është i vetëdijshëm për problemet që kanë të rinjtë, por i ka lutur ata të investojnë në vetën e tyre. 

Limaj i cili mban postin e zëvendëskryeministrit në Qeverinë e Kosovës, i ka lutur të rinjtë të mos heqin dorë nga vendi dhe të ikin jashtë vendit. 

Ai ka thënë se duhet bërë përpjekje për të gjetur veten këtu.. Poashtu ai ka thënë se nëse rinia ka problem më pushtetin le ta ndryshojë, por mos ta shajnë shtetin.

“Ndihmonani neve të ju ndihmojmë ne juve. Bëhuni aktivë. Tregoni interesim që secili me qenë aktiv dhe me ndihmu njëri-tjetrin.  Unë jam i bindur që ky shtet ka potencial dhe resurse ka fuqi dhe i ka të gjitha me i ofru jetën e mirë popullit të vet. Unë e di që këtu ka potencial që secili me gjete vetën dhe me jetu me mirëqenie”, ka shtuar Limaj. 

“Në Ferizaj është Qendra e Aftësimit Profesional atje çdo vajzë dhe djalë që nuk i shkon fakulteti mund të kryej një zanat. Karakterin e njeriut e përcakton diçka tjetër dhe jo nëse ke kry një fakultet ose jo. Ne jemi këtu me ju ndihmu. Janë dhjetëra drejtime ku mund të merrni një zanat nga i cili mund të nxjerrni një rrogë. Shteti ju mbështete me kry atë dhe kur ju merrni një zanat, shteti e merr përsipër punësimin”, ka përfunduar Limaj.

Kryetari i rinisë së Nismës, Albert Maxhuni, ka ftuar rininë e Nismës të ngritin zërin dhe të bëhen bashkë në të drejtën e tyre. 

Ai ka thënë se Nisma i jep hapësire të madhe rinisë. 

Maxhuni ka ftuar të rinjtë të orientohen në aftësim profesional. Po ashtu ai ka thënë se nëse të rinjtë kanë ide inovative mund të krijojnë vende të reja të punës nëpërmjet projektit të vetëpunësimit. Nisma, sipas tij, është adresa më e mirë për të rinjtë e Kosovës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryesuesi i INTRRPOL-it ka refuzuar kërkesën e Serbisë dhe pesë…