Limaj: Temë kryesore e Qeverisë së ardhshme do të jetë dialogu me Serbinë
Kandidati për kryeministër nga koalicioni Nisma-AKR-PD, Fatmir Limaj, ka thënë se një ndër temat kryesore që do të ballafaqohet vendi në të ardhmen është dialogu me Serbinë.
Limaj në bashkëbisedimin me qytetarë në kuadër të KDI-së ka deklaruar se qeveria e ardhshme do të ketë temë qendrore dialogun Kosovë-Serbi.
“Mendoj që çështja e dialogut është shumë e rëndësishme dhe jo vetëm për të mbyllur çështjen mes dy vendeve dhe për t’i hapur perspektiv vendeve tona. Por për më tepër dialogu hap perspektiv të qartë Kosovës, në veçanti në ekonomi dhe në integrime evropiane. Për ne është në interes strategjik çështja me Serbinë që të përmbyllet dhe t’i kthehemi temave tona të brendshme që janë të shumta dhe me rëndësi dhe në besojmë që përmbyllja e dialogut Kosovë-Serbi do të impakt ekonomik dhe social në vend”, ka thënë ai.
“Qëndrimi ynë është se para se të fillohet me dialog duhet të dihet një agjendë e qartë duhet të bashkëbisedojmë në parapërgatitjen e dialogut, do të thotë të ndërtohen disa principeve për dialog dhe kohëzgjatja e dialogut”, ka thënë Limaj.