Limaj thotë se amerikanët po kërkojnë pezullimin e taksës
Bashkëkryesuesi i Delegacionit Shtetëror për bisedime me Serbinë, Fatmir Limaj, ka bërë me dije se ky delegacion sot është takuar me përfaqësuesit e lartë të Këshillit Kombëtar të Sigurisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, John Erath dhe Brad Berkley.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se zyrtarët e lartë amerikanë edhe një herë kanë paraqitur qëndrimin e njohur për pezullimin e taksës ndaj produkteve serbe.
“Përfaqësuesit e lartë të Këshillit Kombëtar të Sigurisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, John Erath dhe Brad Berkley, edhe njëherë paraqitën qëndrimin e njohur amerikan për pezullimin e taksës për t’i dhënë mundësi dialogut dhe përkushtimin e SHBA-ve për të parë sa më shpejt një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë e cila do ta mbyllte njëherë e përgjithmonë konfliktin mes dy vendeve”, ka shkruar Limaj.
Postimi i plotë i Limajt:
Sot në zyrën e presidentit, ne si Delegacion Shtetëror për Bisedime me Serbinë, u takuam me përfaqësuesit e lartë të Këshillit Kombëtar të Sigurisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, John Erath dhe Brad Berkley,
Unë shfrytëzova rastin që dy zyrtarët e lartë të Shtëpisë së Bardhë t’i njoftoj për punën e deritanishme të Delegacionit Shtetëror, për parapërgatitjet që po i bëjmë për dialogun e mundshëm me Serbinë.
Njoftova për përgatitjen e platformës për bisedime e cila, pas miratimit nga ana e institucioneve, është proceduar në Kuvend dhe shpresoj që Kuvendi i Kosovës të diskutojë dhe votojë këtë platformë e cila do ta paraqesë qëndrimin zyrtar të Kosovës në dialogun e ardhshëm me Serbinë.
Gjithashtu shpreha shqetësimin tonë për sjelljen e shtetit serb në raport me Kosovën, ndërhyrjen që çdo ditë Serbia i bën në Kosovë dhe ndaj qytetarëve të Kosovës, pengesat që i bën Kosovës dhe qytetarëve të saj. Përmendëm arsyet që na kanë detyruar ta marrim vendimin për taksën.
Përfaqësuesit e lartë të Këshillit Kombëtar të Sigurisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, John Erath dhe Brad Berkley, edhe njëherë paraqitën qëndrimin e njohur amerikan për pezullimin e taksës për t’i dhënë mundësi dialogut dhe përkushtimin e SHBA-ve për të parë sa më shpejt një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë e cila do ta mbyllte njëherë e përgjithmonë konfliktin mes dy vendeve.
Shfrytëzova rastin për të thënë se vendimi për taksën ka qenë vendim shtetëror dhe tashmë është e qartë se ka këndvështrime të ndryshme rreth kësaj teme. I sigurova që po punojmë fuqishëm që institucionet e Kosovës rreth kësaj çështjeje të kenë një qëndrim unik i cili do t’i mundësonte edhe fillimin e dialogut, duke marrë parasysh këshillat e miqve tanë amerikanë.
/Epoka e re/