Limaj thotë se demarkacioni kryhet gjatë janarit
Zëvendëskryeministri i Kosovës Fatmir Limaj, i cili njëherit është edhe kryetar i Nismës për Kosovën, ka pohuar se viti që e lëmë pas ka qenë një vit i suksesshëm për të dhe partinë e tij, pasi triumfoi për herë të tretë në betejën gjyqësore, pas asaj në Hagë ku akuzohej për krime lufte, rastin Kleçka që disa herë u kthye në rigjykim si dhe për akuzat që e ngarkonin atë sa ishte ministër i Transportit, për të cilat u shpall i pafajshëm në nëntor.
Ndërkaq pjesëmarrja e Nismës në zgjedhje të parakohshme pas mocionit të ngritur ndaj qeverisë “Mustafa” dhe suksesi i treguar në to po ashtu edhe në zgjedhjet lokale që u mbajtën në vjeshtë, bëjnë që sipas Limajt, viti i kaluar të ketë qenë mjaft i suksesshëm.
E rezultate përafërsisht të ngjashme, Limaj pret që të ketë edhe në këtë vit, ku prioritet i qeverisë sipas tij do të jenë temat nacionale, Demarkacioni me Malin e Zi, liberalizimi vizave, zhvillimi ekonomik dhe krijimi i një tregu të barabartë.
Gjatë intervistës për “Gazeta Blic” Limaj, u shpreh i bindur se Demarkacioni, çështje e cila e bllokoi për më tepër se dy vite qeverinë e kaluar, do të përmbyllet brenda këtij muaji, pas procedimit të saj në Kuvend.
Limaj, po ashtu u deklarua edhe rreth funksionimit të koalicionit qeverisës me PDK-në dhe rreth premtimeve të tij, të cilat i kishte bërë gjatë fushatës elektorale para hyrjes në qeveri.
Ai u deklaruar edhe rreth inciativës së fundit për ndalimin e Gjykatës Speciale që u bë në javën e fundit të vitit të kaluar, nga presidenti Hashim Thaçi, Kryeministri Ramush Haradinaj dhe Kryeparlamentari Kadri Veseli, veprim të cilin e konsideroi të vonuar.
“Me vjen keq, kthehuni tri vite mbrapa dhe shiheni reagimin tim. Me vjen keq që është dashur kaq kohë që të kuptojnë qëndrimin tim dhe të partisë Nisma. Është për keqardhje që kjo po na ndodh shpesh, pas disa po i kuptojmë gjerat. Qëndrimi ynë ka qenë në parlament, pra publik dhe nuk ka ndryshuar ai qëndrim. Kjo që po ndodh po e tregon edhe paradoksin e vendit tonë dhe njerëzve që po e kuptojnë me vonesë për dëmet që ia kanë sjellur vendit“, ka thënë Limaj.