Limaj thotë se institucionet e sigurisë e njoftuan se ishte i kërcënuar me jetë
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj, ka deklaruar se institucionet e sigurisë e kishin njoftuar atë për kërcënimet ndaj tij dhe për rrezikun që i kanosej atij.
Një deklaratë të tillë, Limaj e ka dhënë në seancën e së premtes në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ku ka vazhduar gjykimi ndaj të akuzuarve në rastin e njohur si “Syri i Popullit”.
Në këtë rast, për përgatitjen e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës, për vrasje të rëndë në tentativë si dhe vepra të tjera penale, akuzohen Sadri Ramabaja, Murat Jashari, Ragip Sallova, Avni Llumnica, Sabit Berisha, Bexhet Luzha, Halim Halimi, Bajrush Konjusha, Lirije Luzha dhe Rexhep Topllana.
Duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit special, Sylë Hoxha, dëshmitari Limaj, ka thënë se ai vazhdimisht kishte pasur situata të kërcënimeve, por që sipas tij, ai nuk i kishte marr si serioze.
Ai ka thënë se në prill të vitit 2017, më pas, ka marr informatë nga institucionet e sigurisë, për rrezikun dhe kërcënimi që i kanoset atij, ku siç ka thënë ai, në mesin e këtyre institucioneve ka qenë edhe AKI-ja.
Këto institucione, ai ka thënë se i kishin shkuar në zyrë për ta informuar atë, e ku e kanë pyetur nëse kishte dëgjuar për ndonjë lëvizje.
“Mua me kanë informuar që ata kanë informacione të besueshme sipas tyre që flasin se ka kërcënime në drejtim timin dhe shkallë të rrezikshmërisë nga individ të ndryshëm, mirëpo pa i cekur me emra. Në vazhdimësi në një farë mënyre ata e kanë pasur si obligim që të masin shkallën e rrezikshmërisë, e në herën e dytë kur kanë ardhur sipas tyre ka qenë situata alarmuese dhe AKI-ja i ka sugjeruar organeve të policisë që të më ofrohet mbrojtje e afërt. Natyrisht unë kam pranuar rekomandimet e tyre”, ka thënë Limaj.
Ai ka thënë se AKI-ja nuk kishte folur për organizatën dhe sipas tij, as ai nuk ishte interesuar për të pyetur se kush janë personat në këtë organizatë.
“Kur kemi parë rastin e Azem Vllasit që u bë publik aty u pa përmes medieve për këtë organizatë. Pas kësaj kanë ardhur njerëz të institucioneve tona dhe kanë konfirmuar që burim i kërcimeve tona ka qenë kjo. Më kanë thënë se kanë informacione se jeni target i kërcënimit fizik motivet nuk mi kanë përmend, por më kanë thënë se jam i rrezikuar për jetë”, ka thënë Limaj.
Ai ka shtuar se e njeh të akuzuarin Murat Jashari. “Unë me të njihemi nga Zvicra në një njohje sipërfaqësore, e njohjen më të thellë e kemi pasur pas luftës. Edhe sot kur po dëshmoj shpesh vazhdoj të takoj familjen e Ismetit e Muratit pasi që kam respekt për ta”, ka thënë tutje Limaj.
Limaj ka thënë se që nga viti 2010, nuk ka pasur kontakt me Murat Jasharin për arsye të ndryshme, ndërsa ka thënë se me familjen e tij vazhdimisht ka pasur kontakte.
Duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit Hoxha, Limaj ka thënë se është në dijeni për letrat që i kishte shkruar Murat Jashari, ku disa prej pyetjeve në to i ishin adresuar edhe atij.
Ai ka thënë se beson se ato letra nuk janë përpiluar nga Murat Jashari. “Nuk e besoj të paktën për pyetjet që mi ka drejtuar mua”, ka thënë Limaj.
Kurse, ka thënë se nuk e njeh të akuzuarin Avni Llumnica, e as Ragip Sallovën, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Sadri Ramabajën si figurë e njoh, e kam përcjell aktivitetin e tij si publicist dhe aktivitetin e tij politik pas luftës përmes shkrimeve, por kontakt personal nuk besoj që kam pasur ndonjëherë me të”, ka thënë Limaj.
Në seancën e kaluar, që ishte mbajtur më 28 dhjetor të vitit 2018, dëshminë e tyre në këtë rast, e kishin dhënë Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti, Adem Grabovci, Elmi Reçica, deputeti Faton Topalli dhe të tjerë.