Limaj thotë se Nisma mbështet dialogun që sjell njohjen reciproke, jo dialogun teknik
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka thënë se shkuarja e kryeministrit Avdullah Hoti ka qenë e dakorduar nga partnerët e koalicionit.
Megjithatë, ai ka thënë se Nisma druan se po rreshqitet drejt një dialogu teknik dhe partia të cilën ai e drejton nuk është për këtë opsion.
Limaj thotë se Nisma është për dialog mes dy vendeve, por jo për dialog teknik dhe se tri vite janë humbur për teke individuale.
“Pa njohje s’ka implementim të marrëveshjeve. Koha ka ardh në një marrëveshje gjithëpërfshirese, e cila e ka njohjen Brenda dhe organizimin në OKB. Ky është qëndrimi që duhet ta mbroj kryeministri Hoti. Dialog për njohje me afat kohor. Kosova është e interesuar me këto parime. Dialogu të ketë emër. Dialog për njohje. Ky dialog e mbështet Nisma”, ka thënë Limaj ndër të tjera në “Pressing”.
Më tutje, Limaj ka thënë se nuk mund të fillohet dialog me tema të veçanta.
“Neve na duhet një unitet. Nuk e di kur ka më ndodhë, por dialog me Serbinë nuk mund të ketë pa shumicën. Ka tri vite që angazhohem për këtë temë”, ka shtuar Limaj.