Limaj thotë se po bëjnë përpjekje ta ofrojnë edhe opozitën në delegacion
Zëvendëskryeministri Fatmir Limaj ka pritur në takim ambasadoren e Finlandës në Kosovë, Pia Stjernvall, me të cilën ka biseduar për zhvillimet aktuale në vend e posaçërisht për fazën finale të dialogut me Serbinë.
Me këtë rast, Limaj e ka njoftuar ambasadoren për formimin e delegacionit qeveritar për bisedimet me Serbinë si dhe për përpjekjet për t’ia ofruar mundësinë edhe opozitës që të jetë pjesë e këtij delegacioni, duke e shndërruar atë në delegacion shtetëror.
Sipas Limajt, ambasadorja ka ofruar mbështetjen e shtetit finlandez në arritjen e marrëveshjes përfundimtare me Serbinë.
“Pata kënaqësinë ta prisja në takim ambasadoren e Finlandës në Kosovë, Pia Stjernvall. Me ambasadoren biseduam për zhvillimet aktuale në vend e posaçërisht për fazën finale të dialogut me Serbinë. E njoftova ambasadoren për formimin e delegacionit qeveritar për bisedimet me Serbinë si dhe për përpjekjet tona për t’ia ofruar mundësinë edhe opozitës të jetë pjesë e këtij delegacioni, duke e shndërruar atë në delegacion shtetëror”.
“Ambasadorja ofroi mbështetjen e shtetit finlandez në arritjen e marrëveshjes përfundimtare me Serbinë. Marrëveshja përfundimtare me Serbinë për ne nënkupton njohjen e Kosovës nga Serbia si dhe anëtarësimin e Kosovës në OKB dhe organizma tjerë ndërkombëtarë. E falënderova ambasadoren Stjernvall për mbështetjen e vazhdueshme që shteti finlandez po i jep Kosovës. Finlanda është një shtet mik i Kosovës, e cila i ka ndihmuar Kosovës në të gjitha fazat”, ka shkruar Limaj në llogarinë e vet në “Facebook”.
/Epoka e re/