Limaj tregon çka u bisedua sot me krerët e institucioneve
Zëvendëskryeministri, njëherësh bashkëdrejtues i Delegacionit të Kosovës për Bisedime me Serbinë, Fatmir Limaj, ka marrë pjesë në takimin e sotëm koordinues për dialog me Serbinë.
Limaj ka bërë me dije se në këtë takim i ka njoftuar krerët e institucioneve për takimin e Delegacionit Shtetëror me përfaqësuesen e lartë të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini.
Ai ka thënë se në këtë takim, Kosova ka shprehur përkushtimin e qartë për dialog, duke shtuar se Kosova është e interesuar të arrijë një marrëveshje gjithëpërfshirëse, e cila në vete ngërthen njohje reciproke mes dy vendeve, anëtarësimin e Kosovës në OKB, njohje nga pesë vendet e BE-së si dhe hapjen e perspektivës së qartë evropiane për Kosovën.
“Ka qenë një takim i mirë, i frytshëm dhe përshtypjet tona janë të mira. Delegacioni Shtetëror i Kosovës do të bëjë maksimumin që të ketë bashkërendim të plotë me institucionet tjera kushtetuese në vend”, ka thënë Limaj.
Limaj thotë se pas çdo takimi në Bruksel do të njoftohen krerët e institucioneve në Kosovë dhe Kuvendi i Kosovës për këto takime.
/Epoka e re/