Limaj tregon se si do të shkojë procesi i korrigjimit të demarkacionit
Zëvendëskryeministri i Kosovës dhe lideri i Nismës për Kosovën e ka quajtur aneks-marrëveshjen e re të Kosovës me Malin e Zi për Demarkacionin si “Mesi i Artë”, që kanë gjetur dy shtetet për këtë çështje, njofton Klan Kosova.
Limaj në Info Magazine të Klan Kosovës tha se tani gjithçka do të rishikohet pa presionin e kohës dhe nëse ka gabime ato do të korrigjohen.
“Në të dyja anët kanë qenë situata të papajtueshme, kjo që ka ardhur tani është mesi i artë”, pohoi Limaj në Info Magazine.
“Kjo mundëson që deputetë e parlamentit të Kosovës t’ia japin mundësinë komisioneve që gabimet t’i gjejnë nga marrëveshja e 2015 dhe të korrigjohen, të përmirësohen dhe të mos mbetet asnjë hije në marrëdhëniet në mes të Kosovës dhe Malit të Zi”.
“Me këtë marrëveshje ka fituar shansi i Kosovës dhe i Malit të Zi për të ecur përpara, kanë fituar vendet tona, vizioni ynë i përbashkët për të ecur përpara dhe mbështetur njëri – tjetrin dhe në fund kanë fituar qytetarët e dy vendeve tona”.
“Është jashtëzakonisht e rëndësishme që parlamentet tona të votojnë pa cenuar njëri – tjetrin. Komisioni ynë shtetëror do të mbikëqyret edhe nga parlamenti i Kosovës kur të dilet në teren, për të parë ku janë gabimet”.
“Tani parlamenti ka mundësi të bëjë atë që nuk ka mundur ta bëjë në vitin 2015, ta përcjellë nga afër shënimin e kufirit. Komisionet pa presionin e kohës, pa u ngutur, do ta rishikojnë komplet linjën kufitare, të shihet a ka pasur dhe ku ka pasur gabime. Kjo e përmbyll qetësisht tema e Demarkacionit”.