Limaj u uron punë të mbarë zëvendësministrave të Nismës
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, u ka uruar punë të mbarë zëvendësministrave të propozuar nga kjo parti, që tashme janë emëruar nga kryeministri Avdullah Hoti.
“Ju uroj punë të mbarë në Qeverinë e re të Republikës së Kosovës, zëvendësministrave të propozuar nga Nisma Socialdemokrate dhe të emëruar nga kryeministri Hoti: Valdete Dushica-Bajrami, zëvendësministre e Kulturës Rinisë dhe Sportit, Zafir Berisha, zëvendësministër i Punëve të Brendshme, Bekim Brestovci, zëvendësministër i Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe Enver Hoti, zëvendësministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural”, ka shkruar Limaj në llogarinë e vet në “Facebook”.
Ai ka thënë se Zafiri, Valdetja, Enveri dhe Bekimi janë kuadro të jashtëzakonshme dhe secili më i përgatitur së tjetri, të cilët, sipas tij, do t’i kryejnë detyrat shtetërore me përgjegjësi dhe me përkushtim të lartë.
“Ju priftë e mbara”, ka shkruar Limaj.
(Q.R / Epoka e re)