Limaj uron qytetarët në 10 vjetorin e Pavarësisë
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj ka uruar qytetarët e vendit në 10-vjetorin e Pavarësisë.
Limaj ka thënë se Pavarësia është arritur me shumë mund e sakrifica.
“Me shekuj është punuar me ardhe deri të çlirimi dhe se procesi i ndërtimit të shtetit nuk përfundon me një dekade. Në këto 10 vjet shtet kemi arritur suksese të mëdha, por kjo nuk është e mjaftueshme”, ka shkruar ndër të tjera Limaj në 10-vjetorin e Pavarësisë.
Urimi i plotë i Limajt në 10 vjetorin e Pavarësisë:
URIME KOSOVË 10 VJETORI I PAVARËSISË!
Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës,
Sot, bëhen 10 vjet nga shpallja e Pavarësie së Kosovës. Pavarësia e vendit është arritur më shumë mund e sakrifica.
Ne, sot kujtojmë mundin e sakrificën e njerëzve të këtij vendi, të cilët me dekada e shekuj janë përpjekur për të realizuar këtë ëndërr, e cila vjen si rezultat i kontributit shekullor të shumë gjeneratave.
Gjenerata jonë jemi me fat që jemi dëshmitarë të një akti të madh siç është shpallja e pavarësisë. Pjesë e shënimit të atij momenti historik ka qenë secili qytetarë i vendit.
Me shekuj është punuar për të ardhur deri te çlirimi dhe se procesi i ndërtimit të shtetit nuk përfundon me një dekadë. Në këto 10 vjet shtet kemi arritur suksese të mëdha, por kjo nuk është e mjaftueshme.
Ne të gjithë bashkë duhet të punojmë fort që ta forcojmë vendin tonë, ta zhvillojmë ekonominë e vendit dhe ta rrisim mirëqenien e qytetarëve tanë. Kosova është e shenjtë.
Lavdi dëshmorëve të Kombit! Urime viti jubilar i Pavarësisë së Kosovës!
FL. /Lajmi.net/