Limaj viziton degën e Nismës në Gjilan, thotë se mbështetja në këtë qytet për Nismën është dyfishuar
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka vizituar degën e Nismës në Gjilan, ku është takuar me strukturat drejtues të kësaj dege.
Limaj përmes një postimi në llogarinë e tij në ‘Facebook’, ka bërë me dije se Dega e Nismës në Gjilan po kalon në proces të ristrukturimit dhe strukturat drejtuese tanimë kanë zgjedhur kryetarin e ri, Sevdail Robellin, të cilit i ka uruar suksese në detyrën e re.
“Rikonfirmova qëndrimin dhe gatishmërinë tonë që bashkë të vazhdojmë rrugëtimin për fuqizimin e Nismës në Gjilan. Strukturat e Nismës i përgëzova për aktivitetin e tyre gjithmonë në funksion të rritjes dhe zgjerimit të konceptit socialdemokrat”, ka shkruar Limaj.
Më tutje, Limaj ka thënë se sipas të gjitha matjeve, mbështetja për Nismën në këtë qytet është dyfishuar.
E, kryetari i ri i Nismës në Gjilan, Sevdail Robelli, ka thënë se të gjithë bashkë do të punojnë që Nismën ta rrisin edhe më shumë në këtë qytet.
Ai ka falënderuar degën për besimin e dhënë duke u zotuar se Nisma do të jetë model për partitë tjera për nga funksionimi.