Limaj zotohet se do ta nxjerrin ligj për të sanksionuar ata që mohojnë gjenocidin serb në Kosovë
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj ka thënë se kjo parti, me kauzën e saj në mbrojtjen e vlerave kombëtare zotohet para qytetarëve të Kosovës se një nga veprimet e para që do t’i ndërmarrë do të jetë nxjerrja e Ligjit për dënimin e gjithë atyre që mohojnë gjenocidin serb të shkaktuar në Kosovë.
Në një video mesazh drejtuar qytetarëve, Limaj ka thënë se kjo është gjëja më e vogël që mund të bëjë për viktimat e terrorit dhe gjenocidit serb që ka ushtruar në Kosovë ndaj qytetarëve të pafajshëm, fëmijëve, grave dhe pleqve. “Të gjithë ata që gënjejnë dhe tentojnë ta devijojnë historinë e dhimbshme, tragjike, por edhe krenare të Kosovës duhet të sanksionohen me ligj, prandaj një nga iniciativat e para do të jetë nxjerrja e ligjit kundër gjithë atyre që mohojnë gjenocidin dhe masakrat që ka shkaktuar Serbia në Kosovë”, ka thënë Limaj.
Ndryshe, Nisma Socialdemokrate ka vazhduar me aktivitetet elektorale për zgjedhjet e 14 shkurtit, ku sipas kësaj partie, kauza “Me Çlirimtarët” është duke marrë mbështetje nga qytetarët e Kosovës.