Limaj zotohet se tema e të pagjeturve do të jetë njëra nga temat kryesore në dialog
Bashkëkryesuesi i delegacionit të Kosovës për bisedime me Serbinë, Fatmir Limaj, ka folur pas miratimit të platformës nga delegacioni shtetëror.
Limaj ka bërë me dije se një nga temat kryesore në dialogun e mundshëm Kosovë-Serbi do të jenë të pagjeturit.
Limaj thotë se Serbia në asnjë rast nuk e ka trajtuar seriozisht çështjen e të pagjeturve.
“Ne besojmë dhe kem informacione se Serbia i ka në arkivat shtetërore dosje të cilat tregojnë fatin e të gjithë njerëzve tanë për të cilët nuk dihet asgjë që 20 vite dhe kjo do të gjejë vend në marrëveshjen finale”, ka thënë Limaj në emisionin “Debat” të RTK-së.
Zëvendëskryeministri ka bërë me dije se temë tjetër do të jenë krimet e serbeve të kryera në Kosovë.
Ai ka thënë se do të kërkojnë që t’i zgjerohen kompetencat Gjykatës Speciale e cila do t’i hetonte krimet e kryera të serbëve në Kosovë.
“Tjetër është trajtimi i dhunimeve seksuale. Të kompensohen të gjitha vuajtjet që viktimat e dhunës seksuale kanë pësuar gjatë luftës. Kompensimi i dëmeve të luftës, suksesioni. Janë tema që nuk janë shtruar”, ka shtuar Limaj.
Sa i përket opozitës, Limaj ka thënë se Qeveria ka demonstruar që nga dita e parë se është për të bashkëpunuar me partitë opozitare.