Liman Aziz Kryeziu dëshmor në mbrojtje të krerëve të Organizatës Nacional Demokratike Shqiptare (ONDSH)
Duke lexuar historinë e krijimit të kombeve dhe të shteteve në anë të ndryshme të botës mësojmë mbi modele dhe kontekste të ndryshme të kombkrijimit dhe të shtetkrijimit. Më së shpeshti shtetet moderne kombëtare janë krijuar në një proces të çlirimit nga pushtimi imperial apo kolonial. Kombi shqiptar i cili që në fillim të shekullit të njëzet kishte krijuar një lëvizje të fuqishme kombëtare për shkëputje nga sundimi osman arriti ta sendërtoi vetëm pjesërisht këtë ideal. Pavarësia e Shqipërisë u njoh nga Fuqitë e mëdha në Londër vetëm në gjysmën e trojeve etnike shqiptare.
Këtu, pikërisht më 1913, për pjesën e kombit të mbetur jashtë kufijve të shtetit shqiptar filloi shekulli i robërisë së re e bashkë më të edhe shekulli i rezistencës së madhe kundër sundimit serb dhe jugosllav. Nga cilido aspekt që ta analizojmë historinë e Kosovës së shekullit XX ajo dominohet nga përpjekje mbinjerëzore për mbijetesë biologjike dhe kombëtare. Secila dekadë e këtij shekulli është identifikuar më një plejadë të heronjve, dëshmorëve, luftëtarëve, veprimtarëve, të burgosurve, të zhdukurve, të shpërngulurve dhe lëvizjeve politike dhe ushtarake për çlirim.
Fillimi i Luftës së Dytë Botërore solli shpresën për bashkim kombëtar derisa fundi i saj solli zhgënjimin dhe tragjedinë e re për shqiptarët e Kosovës, veçmas për ato personalitete dhe grupe të nacionalistëve shqiptar që e kundërshtuan ri-okupimin jugosllav të Kosovës.
Në këto rrethana kur gjermanët po tërhiqeshin nga tokat shqiptare dhe kur partizanët serb, malazez dhe maqedon e filluan një terror dhe spastrim kundër shqiptarëve nacionalist që po luftonin në mbrojtje të vatrave të tyre (kujtojmë Luftën e Drenicës (fundi 1944-fill 1945), grupet e patriotëve dhe intelektualëve nacionalist e Krijuan ONDSH e cila formoi komitetet e saj a në të gjitha krahinat e Kosovës dhe të Maqedonisë perëndimore më qellim te organizimit të rezistencës kombëtare.
Komitete e para të organizatës së NDSH-së u formuan; në rrethin e Prizrenit dhe të rrethit të Rahovecit, aty nga fillimi i vitit 1945. Për çështje organizative, lindi nevoja, që veprimtaria e ONDSH-es të zgjerohej dhe Komiteti Qendror i organizatës të ndahej në dy pjesë. Njëri të veprojë në Shkup dhe tjetri në Prizren. Komiteti i Prizrenit u formua me urdhrin e Ali Rizës, ndërsa ai në Rahovec, iniciator ishte Prof. Imer Berisha. Fillimisht këto dy komitetet vepruan të pavarura nga njëra tjetra, por udhëzime merrnin nga organizata simotër në Shqipëri. Kah gjysma e vitit 1945 u zbuluan gati të gjitha komitetet e rretheve të NDSH-së së bashku me KQ të Prizrenit. Ndonëse një pjesë e madhe e tyre u arrestuan, një pjesë tjetër u likuiduan, një pjesë doli maleve, veprimtaria e NDSH-es nuk u ndërpre, por përkundrazi ONDSH u organizua dhe u konsolidua edhe më mirë për të formuar komitetet të reja në tërë territoret shqiptare jashtë shtetit amë.
Akademia e sotme përkujtimore shpalos një episod të lavdishme të kësaj lëvizje nacionaliste për bashkim kombëtar. Personalitete të njohura të lëvizjes nacionaliste te rrethit të Rahovecit si Ymer Berisha, Uke Sadiku, Kajtaz Ramadani, Mustafë Derguti, në rrethana shumë të vështira, kur në Kosovë po kryhej terror masiv sllavo-komunist mbi shqiptaret, në këtë pjesë të Llapushës këta krerë të ONDSH ishin venë në ndjekje. Autoritetet politike dhe ushtarake jugosllave pas shuarjes së rezistencës në Drenicë dhe vrasjes së Shaban Polluzhës po shpejtonin ta asgjësonin veprimtarinë e grupeve tjera të patriotëve nacionalist, duke e zbuluar vendndodhjen e tyre dhe duke i ekzekutuar pa gjyq duke shfrytëzuar faktit se në Kosovë që nga 8 shkurti 1945 ishte vendos administrimi ushtarak me pretekstin e rrezikut siç thuhej “armikut të brendshëm”.
Mustafë Derguti një nga deputetet e Parlamentit jugosllav të paraluftës së dytë botërore, njeri më autoritet në rrethin e Rahovecit dhe jo vetëm gjatë L.II.B ju bashkua krahut nacionalist dhe u zgjodh deputet edhe në Parlamentin Shqiptar. Si mik familjar i njërit nga veprimtaret e ONDSH Kajtaz Ramadanit, pas dënimit më pushkatim dhe ekzekutimit të Kajtaz Ramadanit, me 27 shtator 1945 Mustafë Derguti detyrohet të strehohet ndër miq të Kajtazit dhe bashkëveprimtarë si: në Gullbofc, të familja e Fejtë Reshitit, në Balincë, tek familja e Daut Mahmut Kelmendit dhe në Bubavec te Familja e Shqir Azizit. Duke iu shmangur arrestimit Mustafa një kohë derisa u dekonspirua qëndroi në Llapqevë tek bashkëpunëtori i tij Musë Haliti. Organet e OZNE-s i bijnë në gjurmë edhe në Llapqevë dhe ai vendosi të të largohet nga atje dhe të kërkoi konak tek familja Kryeziu në Bubavec. Kryefamiljaret Liman Azizi dhe Ukë Hasani përmes djalit të Mustafës Nuredinit ranë në kontakt me Mustafën dhe i ofruan strehim dhe mbrojtje atij. Sipas rrëfimeve të familjarëve edhe pse nën vëzhgim të organeve të pushtetit okupues, edhe pse të vetëdijshëm për rrezikun që paraqiste strehimi i një “armiku të popullit” siç e cilësonte pushteti Mustafë Dergutin dhe shokët e tij familja patriotike Kryeziu zgjodhi ta strehoi atë duke e konsideruar më të shenjtë kauzën kombëtare sesa jetën e familjes së tyre.
Në historinë më të re shqiptare këto akte të heroizmit dhe solidarizimit kombëtar nuk janë raste por fenomene të njohura gjerësisht. Pushtimi i gjatë, kërcënimi permanent për ekzistencë e kishte rritur ndër vite e dekade solidaritetin dhe besën ndërmjet shqiptarëve. Pra lufta për mbijetesë biologjike e shqiptarëve nën Jugosllavi e kishte forcuar edhe mobilizimin dhe vetëdijen kombëtare. Shumë familje të njohura dhe të kamura të Kosovës po zgjidhnin të luftonin dhe të vdisnin në mbrojtje të tokës, të kombit e të gjuhës si alternativë që të jetonin si të okupuar, e të çnjerëzuar.
Mustafa qëndroi në familjen e Ukës dhe të Limanit duke ndenjur ditën në stanet e familjes në malet periferike te fshatit e natën në shtëpinë e tyre. Ai gjatë qëndrimit për shkak të autoritetit që kishte në këto anë mbante kontakte edhe me kryefamiljar tjerë të Bubavecit, duke e dekonspiruar edhe me shumë vetën.
Për fat të keq pa kaluar shumë kohë organet e OZNES i bien në gjurmë vendndodhjes së tij dhe në pa zbardhur mëngjesi i 13 dhjetorit 1945 e rrethojnë fshatin Bubavec, Lagjen dhe shtëpinë e Ukë Hasanit dhe Shaqir Azizit, ku ishte i strehuar Mustafë Derguti me djalin Nuredinin dhe nipin Halimin. Nga lehja e qeneve Shaqir Azizi e kuptoi se janë të rrethuar dhe u be një tentim për ta tërhequr Mustafën nga oda e Ukë Hasanit dhe nga fshati por në përpjekje e sipër pati përballje me forcat e OZNES që kishin venë rreth të hekurt, Mustafa kundërshtoi që të ketë rezistencë ndaj tyre duke thënë se do të pësonin gjithë banoret e familjeve ku kishte qëndruar po edhe gjithë fshati Bubavec prandaj vendosi të dorëzohej. Të lidhur Mustafa me të birin dhe nipin por edhe Ademi dhe Uka nxirën nga fshati te vendi i quajtur Livadhi i gjatë. Aty pastaj sillen të gjithë burrat e fshatit madje edhe fëmijët meshkuj mbi 7 vjeç të cilët i nënshtrohen një maltretimi fizik e psiqik dhe pastaj në sytë e tyre bëhet ekzekutimi me pushkatim i Mustafës më djalin dhe nipin. Banoret detyrohen të hapin një grup të madhe dhe urdhërohen ti gjuajnë trupat dhe ti mbulojnë më dheun. Pati edhe këtu një akt heroik të njërit nga banorët Ajet Kadria i cili tentoi t’i vendoste në varr mbarë sipas traditës, dhe ky u godit nga ushtaret dhe i lënduar u hodh mbi trupat e vdekur por banoret e ngritën.
Pas mbulimit të kufomave filloi intervistimi i banorëve për të kuptuar se kush e kishte strehuar. Duke qenë se banoret nuk u tunduan nga gjithë llojet e kërcënimit, të tërbuar nga vendosmëria e fshatit arrestuan Ukë Hasanin, Liman Azizin, Sherif Hasanin dhe Adem Shaqirin, të cilët u rreshtuan për ti pushkatuar në vend por pati një kërkesë nga një ushtare me emrin Feride që këta më mirë të dergohen në gjykatë se atje do të tregojnë gjithë jatakët e Mustafë Dergutit dhe shokëve te tij. Nga aty të katër burrat u dërguan në Kjevë, në ahurin e Kajtaz Ramadani ku u malltretuan gjatë gjithë natës dhe në mëngjes u dërguan në borë dhe acar ashtu të zbathur pothuaj si kishin qenë i dërguan në këmbë në burgun e Rahovecit, ku arritën krejtësisht të gjakosur dhe te ngrirë. Odiseada e vuajtjeve për këta katër burra, por për më shumë edhe për familjet e tyre do të vazhdoj. Rrahje maltretime, presione për të dhënë edhe emra tjerë që kanë strehuar Mustafën dhe shokët e tij, por asnjë emër nuk doli nga goja e tyre. Askush tjetër nuk u arrestua pos tyre në fshatin Bubavec. Pas maltretimit fizik dhe psiqik, izolimit në qeli, të tyre në Burgun e Rahovecit e pastaj për një kohë më të gjatë në Burgun e Prizrenit në fund të vitit 1946 katër anëtaret e familjes së Sali Agushit shpallën fajtor dhe dënohen me burgim: Ukë Hasani me 3.5 vjet, Liman Azizi dënohet më 4.5 vjet, Adem Shaqiri 3 vjet dhe Sherif Hasani dënohet me 1 vjet burg.
Për Limanin dhe shokët e tij këtu fillon një plojë tjetër kur ata u dërguan në Burgun famëkeq të Nishit. Aty ai takoi shumë nacionalist, burra që ju qëndruan besnik idealeve të bashkimit kombëtar, si Banush Sedllari, Man Hasani, Idriz Sertolli, Sadik Peqani, Rrust Bajram Morina e të tjerë të cilët nga kushtet tepër mizore dhe trajtimi çnjerëzor ishin në gjendje të keqe fizike, por mentalisht stabil dhe moralisht të fortë, të bindur se edhe në këtë mënyrë mbrohej kauza e kombit.
Edhe Limani tashmë në këto kushte po e testonte pjekurinë dhe burrërinë e tij. Përkrah burrave të përmendur ai u ndie i fortë dhe i papërkulur. Deshi ta mbante lartë emrin e familjes dhe të kombit. Kjo nuk ju pëlqeu dhe mund të thuhet se i tërboi xhelatët e OZNE-s. Nga dhuna dhe torturat sistematike Limani, ky këtë djalë i guximshëm dhe patriot, në moshën 38 vjeçare, duke mos mbijetuar torturat në vitin 1947 vdes. Limani u dënua edhe pas vdekjes ngase familjes nuk ju lejua marrja e kufomës dhe varrosja ne Kosove. Edhe sot e kësaj dite nuk dihet ku pushojnë eshtrat e këtij heroi të kombit. Familjes së Liman Azizit madje ju ndalua edhe të hapte të pame dhe miqtë dhe bashkëfshatarët shkonin natën për të ju shpreh ngushëllime për vdekjen e Limanit.
Në fund dua të them se episode të tilla të vuajtjeve, qëndresës, sakrificave dhe akteve të heroizmit siç e thash në fillim janë fenomeni historik më konsistent në historinë e re të shqiptarëve të Kosovës dhe shqiptarëve në Jugosllavi.
Inspirimi i heroizmit të Limanit ishte mbresëlënës për brezat e ardhshëm të familjes dhe fshatit të tij. Ai ishte i ngulitur thellë në kujtesën kolektive të familjes dhe të fshatit Bubavec dhe ishte shpërfaqur sa herë që e kishte kërkuar atdheu. Në faza të mëvonshme të rezistencës kombëtare shumë pinjoll të Familjes Kryeziu u rreshtuan pa hezitim në mbrojtje të atdheut. Po përmendim këtu disa nga ata më ndjesë nëse ndonjë e kemi lënë pa e përmendur. Amanetin e Limanit do ta përjetësojnë më shumë guxim Muhamet, Daut, Avdyl e Mulla Xhevat Kryeziu, pastaj Bashkim, Brahim, Ferat, Hamëz, Vllaznim, Baki, Ejup, Afrim, Naim, Shaqir, Fitore, Burim, Milaim, Isak, Ekrem, Sali, Osman, Arsim e Vehbi Kryeziu.
Lavdi të gjithë dëshmorëve të kombit
Lavdi jetës dhe sakrificës së Liman Aziz Kryeziut