Limani: Ballkanin, si në kampionat, e mposhtim edhe në Kupë
Ballkani dhe Drita e ndajnë mejdanin të mërkurën në kuadër të rrethit të dytë të Digitalb Kupës së Kosovës. Ardian Limani për “Epokën e re” e ka paralajmëruar skuadrën nga Suhareka se e pret humbja edhe në këtë ndeshje.
Skuadra e Dritës nga Gjilani, në kuadër të xhiros së dhjetë në IPKO Superligën e Kosovës në futboll, e kishte mposhtur Ballkanin (2-0). Kjo fitore dhe forma e mirë e bëjnë optimist kapitenin e skuadrës nga Gjilani, Ardian Limani. Ky i fundit të hënën për “Epokën e re” ka thënë se Drita në secilën ndeshje hyn për fitore dhe e njëjta gjë vlen edhe për ndeshjen e rrethit të dytë të Kupës kundër Ballkanit.
“I gjithë fokusi ynë është në ndeshjen e Kupës kundër Ballkanit. Normalisht se është shumë e vështirë ndeshja pasi po tregojnë se kanë skuadër shumë të fortë, mirëpo ne kemi dëshmuar se mund t’i mposhtim ata. Drita, si gjithmonë, në çdo ndeshje futet për fitore”, ka thënë Limani, i cili nuk ka folur për ndeshjen e ardhshme në Superligë që Drita e zhvillon në “Riza Lushta” ndaj Trepçës ’89. “Sinqerisht nuk e kemi diskutuar ndeshjen me Trepçën ’89, pasi ne çdoherë i marrim ndeshjet një nga një, prandaj i gjithë fokusi ynë është në ndeshjen e Kupës”, ka shtuar ai.
Drita në fundjavë e mposhti skuadrën e Llapit (2-0) dhe në këtë mënyrë e mori pozitën e dytë në elitë, me tri pikë me pak se Ballkani i Suharekës. Lidhur me rezultat e gjertanishme, Limani bëri me dije se pritshmeritë ishin më të mëdha. “Në përgjithësi kemi pritur diçka më shumë, por disa gabime na kanë kushtuar gjatë këtij stinori. Megjithatë, jemi në garë për titull dhe kjo është mirë. Jemi duke u përmirësuar vazhdimisht dhe nuk duhet të gabojmë më gjatë rrugës sikur kemi bërë më parë”, ka deklaruar Limani.
Drita është e dyta në tabelë me 31 pikë, kurse nga gjashtëmbëdhjetë ndeshje të zhvilluara ka regjistruar 9 fitore, 4 barazime dhe 3 humbje.
/Veton ZYMBERI/