Limani ‘kërcënon’ Ballkanin: Drita të dielën merr pozitën e parë

17 tetor 2019 | 14:21

Një prej ndeshjeve më interesante në këtë edicion të Superligës zhvillohet të dielën në mes të Dritës dhe Ballkanit. Ardian Limani ka paralajmëruar për “Epokën e re” se pas kësaj ndeshje do të ketë ndërrim pozitash në krye të tabelës.

Kapiteni i Dritës së Gjilanit, Ardian Limani, ka bërë një paralajmërim lidhur me ndeshjen derbi të javës së dhjetë në IPKO Superligë në mes të Dritës dhe Ballkanit. Ai i ka dërguar “selam” skuadrës nga Suhareka se të dielën do të pësojë humbje dhe do të largohet nga pozita e liderit të elitës.

“Jemi duke u përgatitur për këtë ndeshje shumë të rëndësishme. Synim e kemi fitoren, sepse vetëm kështu mund të dalim në pozitë të parë. Ndeshja është ndaj kryesuesit të Superligës, Ballkanit, që është një skuadër shumë e fortë. Megjithatë, ne do ta japim maksimumin dhe besojmë se do ta mposhtim”, ka thënë Limani për gazetën “Epoka e re”.

Mbrojtësi që është shndërruar në shtyllë te skuadra gjilanase ka thënë se Drita do ta arrijë synimin që ta përfaqësojnë edicionin tjetër Kosovën në garat evropiane. “Meqenëse në këtë vit do të kemi tri skuadra që do të dalin në arenën ndërkombëtare, edhe gara është bërë më e fortë. Pesë apo gjashtë ekipe janë shumë cilësore. Ne jemi të bindur se do ta përfaqësojmë Kosovën në arenën ndërkombëtare”, ka shtuar Limani.

/Veton ZYMBERI/

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Lëvizja Vetëvendosje (LV) sot ka ushtruar ankesë në Panelin Zgjedhor…