Limani: Kundër Feronikelit synojmë fitore
Kapiteni i Dritës, Ardian Limani para ndeshjes derbi me Feronikelin, ka treguar gjendjen e skuadrës dhe synimet për takimin e së dielës.
Feronikeli – Drita do të jetë ndeshja derbi e javës së pestë të Superligës së futbollit.
Të dyja skuadrat kanë presionin e rezultatit pasi që për momentin janë mbrapa me pikë, Feronikeli ka arritur të grumbullojë vetëm pesë pikë deri më tani ndërsa “Intelektualët” që kanë tre ndeshje më pak kanë arritur ta fitojnë takimin e vetëm të luajtur në këtë sezon.
Mbrojtësi 26 vjeçar ka bërë të ditur se atmosfera në skuadër është shumë e mirë para takimit të fundjavës dhe synim është vetëm fitorja kundër skuadrës nga Drenasi.
“Përgatitjet po shkojnë mirë, jemi të vetëdijshëm që kemi të bëjmë me një skuadër shumë të fortë në shtëpi si Nikli. Po përgadisim ndeshjen në mënyrën më të mirë të mundshme për të arritur edhe synimin tonë nga ky takim, e synim i yni prej këtij takimi është fitorja”, ka thënë Limani për “Olle”. “Gjendja në skuadër është shumë e mirë, duam të fitojmë që të mbesim në hap me skuadrat lidere”, ka shtuar ai.
Ndeshja, Feronikeli – Drita luhet të dielën me fillim nga ora 13:30.