Limani nuk lë vend për shqetësim: Fitojmë kundër Prishtinës
Humbja nga Ballkani nuk e ka shqetësuar aq shumë kapitenin e Dritës, Ardian Limani, i cili për “Epokën e re” ka thënë se skuadra gjilanase do t’iu rikthehet fitoreve në derbin kundër Prishtinës.
Kapiteni i Dritës, Ardian Limani për “Epokën e re”, ka thënë se Ballkani e ka fituar me meritë ndeshjen derbi ndaj skuadrës së tij. “Në ndeshjen e fundit nuk jemi paraqitur mirë sa kemi menduar. Pra, humbëm me meritë”, ka thënë ai. Por, pavarësisht prej kësaj humbje, në përballje me një rivalet të drejtpërdrejtë për titull, Limani nuk beson se kjo i zbeh shpresat e gjilanasve për të dalë fitimtarë në fund të kampionatit elitar. “Nuk jam i mendimit që titulli do të diskutohet qysh tani, me gabimin e një ndeshje, sepse ka edhe 12 ndeshje dhe secila prej skuadrave do të gabojë. Ne nuk jemi dorëzuar dhe as nuk kemi menduar për një gjë të tillë. Kemi edhe nga një ndeshje me rivalet e drejtpërdrejta dhe aty do të vendoset më shumë për titull”, ka shtuar Limani.
Skuadra e Dritës në kuadër të javës së 22-të në IPKO Superligë e zhvillon edhe një tjetër ndeshje derbi. Kësaj radhe në Gjilan, Drita të dielën e pret Prishtinën me synim që t’iu rikthehet fitoreve dhe mos të lejojë shkëputjen e Ballkanit në tabelë. Limani për këtë ndeshje ka thënë se Drita është pa asnjë mungesë në formacion dhe pret fitore. “Besoj shumë në skuadrën tonë. Nga ndeshja e radhës do të kërkojmë fitore dhe të kthehemi në formën e duhur. Nuk kemi asnjë mungese, e kjo do të na ndihmojë të luftojmë në maksimum kundër Prishtinës dhe me ndihmën e tifozëve tanë të arrijmë fitore. Gjithsesi, do të jetë ndeshje e vështirë sepse edhe Prishtina ka synim të njëjtë”, ka thënë Limani.
Aktualisht skuadra e Dritës pozicionohet në vendin e katërt me 40 pikë, katër pikë më pak se skuadra lidere. Ish-kampionia e Kosovës në këtë edicion prej 21 ndeshjeve ka regjistruar 12 fitore, 4 barazime dhe 5 humbje.
/Veton ZYMBERI/