Linçimi publik ndaj gazetares së Hoti nga VV-ja në Malishevë, reagon AGK-ja
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka dënuar pengimin e punës së ekipit të Gazetës Nacionale në tubimin e Vetëvendosjes në Malishevë dhe linçimin e gazetares Besarta Hoti.
Pengimi i ekipit të Nacionales ndodhi gjatë momentin kur disa pjesëmarrës dhe zyrtarë të Vetëvendosjes u paraqitën pengesa gazetares Besarta Hoti dhe kameramanit Kushtrim Zenuni, mes tjerash duke iu drejtuar me fjalinë: “Jeni më keq se Serbia!”
Gjithashtu, një përkrahës i Vetëvendosjes me emrin Filiz Mustafa, e ka sulmuar dhe linçuar publikisht në Facebook gazetaren, Besarta Hoti, për shkak të mbulimit të tubimeve të Vetëvendosjes në disa qytete.
Në dritën e kësaj, AGK e quajti veprimin të “papranueshëm” dhe që “rrezikon seriozisht sigurinë fizike të gazetarëve të këtij mediumi.”
Në reagim iu bë thirrje Vetëvendosjes që “të ofrojë kushtet e nevojshme për të gjitha mediat e interesuara për të përcjellur tubimet elektorale të saj, dhe të mos i pengojë ato.”
Reagimi i plotë:
AGK-ja dënon pengimin e punës së ekipit të Nacionales në tubimin e Vetëvendosjes në Malishevë dhe linçimin e gazetares Besarta Hoti
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës është njoftuar për pengimin që i është bërë në kryerjen e punës një ekipi të gazetës Nacionale, gjatë një tubimi zgjedhor të partisë politike, Vetëvendosje në qytetin e Malishevës.
Disa pjesëmarrës dhe zyrtarë të Vetëvendosjes u kanë paraqitur pengesa gazetares Besarta Hoti dhe kameramanit Kushtrim Zenuni, mes tjerash duke iu drejtuar me fjalinë: “Jeni më keq se Serbia!”
Gjithashtu, një përkrahës i Vetëvendosjes me emrin Filiz Mustafa, e ka sulmuar dhe linçuar publikisht në Facebook gazetaren, Besarta Hoti, për shkak të mbulimit të tubimeve të Vetëvendosjes në disa qytete.
AGK-ja i konsideron veprimet e tilla të papranueshme dhe që rrezikojnë seriozisht sigurinë fizike të gazetarëve të këtij mediumi.
AGK i bën thirrje Vetëvendosjes që të ofrojë kushtet e nevojshme për të gjitha mediat e interesuara për të përcjellur tubimet elektorale të saj, dhe të mos i pengojë ato.