Lindja ime

07 mars 2021 | 23:52

Elife Luzha

 

Nga vrimë e gjilpërës

Kam lëshuar zënë

Për të parën herë

Për ta qepur flamurin

 

Plisin kam zbardhur

Duke skuqur bozhurin

Pafundësisht

 

Nga djepi ika maleve

Për ta ngjallur arkivolin

Linda mbi re

Ta ndjek pas Mic Sokolin

 

Ninullat i kisha tragjedi

Unë fëmija

Që mbaja gjallë të zezën nënë

 

Linda nga pranvera

Të ringjallem në dimër

Linda nga kënga

Të rroj në pikëllim

 

Në Kaçanik linda

Nga një hark ylberi

Të rroj e përjetshme

Si bijë Shqipërie

Te një shtizë flamuri hodha shtat

Me akrepat e orës matja shekujt

 

Erdha e përjetshme

Sytë kurrë mos t’i mbyll

Linda nga hëna

Të vdes te një yll

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Selim Pacolli, ka folur për…