Lindje e rrallë në QKUK
Një lindje e rrallë është regjistruar në Klinikën Obstetrike Gjinekologjike, ku një paciente e diagnostikuar prej moshës gjashtëmuajsh me keqformim të lindur të zemrës të formës Morbus Ebstein ka lindur një foshnje të shëndoshë.
“Bëhet fjalë për një keqformim të rrallë dhe zakonisht këta pacientë janë në gjendje të rëndë dhe shtatzënia është e kundër indikuar. Pacientja B.Z, e moshës 19-vjeçare, e diagnostikuar, deri tash, nga aspekti kardiologjik, është udhëhequr nga kardiologu i fëmijëve, dr. Ramush Bejiqi, i cili e ka përcjellë edhe statusin kardiologjik të fetusit gjatë shtatzënisë si dhe gjendjen e nënës në shtatzënësi, kurse obstetër janë mjekët nga Spitali i Përgjithshëm i Pejës dhe Dr. Ismajl Jakupi nga Klinika e Gjinekologjisë. Shtatzënia është udhëhequr me sukses me gjendje të mirë të fëmijës dhe të nënës, kurse lindja është kryer në termin, siç edhe parashihet në botë, me sectio cesarea”, është thënë në njoftimin e QKUK-së.
Sipas këtij njoftimi, nëna ka lindur fëmijë të gjinisë mashkullore dhe është në gjendje të mirë.
Operacioni është kryer në Klinikën Obstetrike Gjinekologjike në QKUK, e udhëhequr nga ekipi i intervenimit, dr. Shqipe Fetiu, kurse anëtar të ekipit mjekësor kanë qenë edhe dr. Mejreme Ramosaj, dr. Muharrem Morina, dr. Mimoza Avdiu dhe instrumentaleve.
Ky është rasti i parë i shtatzënisë dhe lindjes nga një paciente me sëmundjen e Ebstein-it.
/Epoka e re/