Lingardi prezantohet te FC Seoul
Ish-mesfushori i Manchester United dhe Anglisë, Jesse Lingard ka përfunduar një transferim te skuadra koreano-jugore, FC Seoul.
Lingard ka qenë pa klub që kur i skadoi kontrata me Nottingham Forest në fund të sezonit të kaluar. Mësohet se 31-vjeçari ka nënshkruar një marrëveshje dyvjeçare me klubin e K-League, me opsion edhe për një vit tjetër. Lingard ka thënë se kishte marrë shumë oferta, por kishte vendosur se dëshironte një përvojë të re futbolli në Korenë e Jugut.
“Gjithmonë kam dashur një sfidë ndryshe dhe të krijoj kujtime të reja në karrierën time. Unë besoj se Koreja e Jugut është vendi i përsosur për këtë”, ka thënë Lingard.
Lingard i lindur në Warrington kaloi në radhët e të rinjve të Manchester United për të bërë debutimin e tij në ekipin e parë nën Louis van Gaal në gusht të 2014. Ai vazhdoi të luajë 232 paraqitje për United, duke shënuar 35 gola ndërsa ndihmoi United të fitonte Kupën FA, Kupën e Ligës dhe Ligën e Evropës. Anglezi iu bashkua Nottingham Forestit në një marrëveshje njëvjeçare në korrik 2022 pasi kontrata e tij skadoi me Djajtë e Kuq, por klubi e liroi atë në verë pasi bëri 20 paraqitje.