Linja Prishtinë – Zagreb do të mbyllet vetëm një muaj pasi nisi punën
Linja ajrore Prishtinë – Zagreb do të mbyllet vetëm një muaj pasi nisi fluturime. Operatori turistik i Kosovës, MyWings, ka tërhequr biletat për këtë linjë pas datës 2 shkurt, njoftoi CroatiaAviation.
Rikthimi i linjës Prishtinë – Zagreb u njoftua më 15 dhjetor të vitit të kaluar, megjithatë pas 2 shkurtit, njerëzit nuk do të kenë mundësi të udhëtojnë më në këtë linjë.
Gazeta Online Reporteri.net, pasditen e së premtes ka provuar të marrë informacione dhe konfirmimin edhe nga zëdhënësja e Aeroportit, Valentina Gara, por ajo nuk ka qenë e qasshme.
Fillimisht, fluturimet e kësaj linje ishin programuar për tri herë në javë, e hënë, e mërkurë dhe e shtunë. Menjëherë pas vendosjes së operimeve, fluturimet janë anuluar të hënave dhe ishin vetëm dy herë në javë. Fluturimet do të vazhdojnë të mërkurave dhe të shtunave deri më 2 shkurt dhe pas kësaj date nuk do të ketë fluturime direkte mes dy kryeqyteteve.
Nuk mbahet mend që një linjë të mbyllet përfundimisht një muaj pasi kishte nisur.
Rihapjen e linjës Prishtinë – Zagreb e kishte prezantuar me krenari edhe zëvendësministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi, i cili kishte thënë se kjo linjë ajrore, e cila i ka munguar të dyja shteteve, është e rëndësishme për qarkullimin e dy popujve, e që do të ketë impakt edhe në aspektin e zhvillimit ekonomik. Ngjashëm ishte shprehur edhe ministri i Infrastrukturës së Kroacisë, Oleg Butkovic, që ishte i pranishëm në inaugurimin e kësaj linje një muaj më parë.