Lipjani në Superligë, Istogu në Ligën e Parë
Lipjani është anëtari i ri i IP Superligës së Kosovës në basketboll. Pavarësisht disfatës së pësuar nga Kalaja në Prizren me rezultat 70:73, por falë fitores në ndeshjen e parë me pesë pikë epërsi (76:71), Lipjani është shpallur kampion i Ligës së Parë dhe e ka siguruar inkuadrimin në rangun më të lartë të basketbollit kosovar.
Ndërkaq Kalaja tani do të luaj në “play-out” kundër Boreas. Skuadra e Istogut e ka siguruar një vend në një rang më të lartë të garave. Istogu pavarësisht disfatës së përjetuar nga Don Bosko në ndeshjen e dytë finale të “play-off”-it të Ligës së Dytë të Meshkujve ka arritur të shpallet kampion, pasi që në ndeshjen e parë kishte triumfuar me 11 pikë epërsi (66:55), kurse në takimin e dytë ka përjetuar humbje me 8 pikë dallim (65:57).
Sipas Propozicioneve të Garave të FBK-së, kampion i Ligës së Dytë të Meshkujve shpallet ekipi, i cili në njërën ndeshje shënon fitore me më shumë pikë, ose pëson humbje me më pak pikë se sa që ka fituar ndeshjen e parë.
Redaksia online
(e.r. / epokaere.com)