Lippi: Buffoni është dashur të pensionohet te Juventusi
Ish-trajneri i Juventusit, Marcello Lippi, mendon se Gianluigi Buffon është dashur të pensionohej te “Zonja e Vjetër”.
Portieri italian i ka dhënë fund qëndrimit të tij te “Bianconerët”, por edhe pse pritej pensionimi i tij, ai vendosi të vazhdonte të luajë. Nga sezoni i ardhshëm, 40-vjeçari do të jetë pjesë e Paris Saint-Germainit, klub me të cilin ka nënshkruar kontratë dyvjeçare. “Kam folur shumë shpesh me Buffonin në tre-katër muajt e fundit. Gjithmonë i kam thënë: ‘Ti vendos, mos prano asnjë këshillë, bëje në mënyrën tënde’ dhe ai dëshiron të luajë ende”.
“Do të më pëlqente që ta kishte përfunduar karrierën te Juventusi, por kjo është çështje personale. Nëse mendon se mund të luajë ende, duhet ta bëjë këtë. Ai do të vazhdojë të luajë derisa ndihet se është numri 1”, ka thënë Lippi.