
Lippi: Juventusi është në garë për titullin e Serie A
Në një intervistë për “La Repubblica”, ish-trajneri i Italisë, Marcello Lippi, foli për marrëdhënien e tij me futbollin aktual. Strategu italian e cilëson Juventusin ende në garë për titull, ndërkohë që ka kujtuar të kaluarën te ekipi torinez.
“Trajnerët më duken më të përgatitur sesa në brezin tim, gjithashtu ka më shumë ekuilibër kompetitiv. Tashmë janë zhdukur skuadrat që ishin thjesht ‘viktima’. Titulli i Serie A? Nuk do të çuditesha nëse edhe Juventusi do të rikthehej në garë”, ka thënë Lippi.
“E kaluara te Juventusi? Kam stërvitur shumë lojtarë, mjaft prej tyre të mëdhenj. Më i miri? Mmmm, si ta them? Nëse them Del Piero, nuk mund të mos mendoj për Zidane. Nëse them Zidane, nuk mund të mos mendoj për Del Piero… Dhe pastaj Vialli, që më mungon shumë. Ishte bujar, ironik, inteligjent, një futbollist i jashtëzakonshëm dhe shakaxhi i madh. Po ashtu Conte, që ishte pika ime e referimit. Më vijnë ndërmend tani Pirlo, Nedved, Totti, Gattuso, Buffon … Dhe sigurisht Roberto Baggio, një nga më të mëdhenjtë në histori. Po më të mirët, që nuk i ke trajnuar kurrë? Maradona, Messi dhe Van Basten, do të thoja. Edhe pse më madhështori, të cilin e kam parë vetëm në televizor, ishte Pele”, ka deklaruar Lippi.