Liqeni kalon në ‘Main Round’ të Ligës së Kampionëve
Skuadra kampione e Kosovës në futsall, Liqeni është kualifikuar në “Main Round” të Ligës së Kampionëve.
Skuadra nga Drenasi në ndeshjen e fundit dhe vendimtare në grup në fazën parakualifikuese e ka mundur skuadrën gjermane, Weilimdorf, me rezultat 3-2. Liqeni kaloi në epërsi në minutën e 2-të me golin e Arbër Shkodrës.
Dy minuta më vonë shifrat në 1ë1 i barazoi Maro Duras, me të cilin rezultat edhe u mbyll pjesa e parë, e cila u përshkrua me rivalitet të madh.
Gjermanët kaluan në epërsi në minutën e 25-të, me golin e dytë të Maro Duras, por kampionët e Kosovës nuk u dorëzuan dhe arritën që të përmbysin rezultatin me golat e shënuar nga Jakup Ramadani (30’) dhe Sebastian Camillo Sanchez (38’).
Në dy ndeshjet tjera të Grupit H, Liqeni e ka mposhtur Tavsancalin 5-0 dhe Helvecian 7-6. Kësisoj, me 9 pikë nga tri ndeshje, Liqeni përfundoi në vendin e parë dhe do t’i vazhdojë garat në garën elitare në fazën e njohur si “Main Round”.
Shorti për këtë fazë do të tërhiqet më 30 gusht, kurse ndeshjet zhvillohen prej 26 deri më 31 tetor.