Liri shtypi e llojit të Bolsonaros
Astrid Prange de Oliveira
“Boll me fake news dhe me gënjeshtra. Ndodhemi në një epokë të re, dua të qeveris për të gjithë.” Kështu u shpreh presidenti i ardhshëm i Brazilit Jair Bolsonaro në njërën nga intervistat e para pas zgjedhjeve në mënyrë të qartë në mbështetje të lirisë së shtypit dhe të mendimit. Kaq për sa i përket lajmit të mirë. Por a eliminohen me këtë njëherë e përgjithmonë të gjitha frikërat se Brazili, demokracia e katërt në botë për nga madhësia, mund të distancohet gradualisht pas zgjedhjeve nga shteti demokratik juridik?
Bolsonaro ka të drejtë: Brazili ndodhet në një epokë të re. Në një epokë në të cilën po përcaktohet nga e para edhe raporti midis pushtetit dhe medieve. Sepse deri tani fushatat elektorale në vendin më të madh të Amerikës së Jugut janë vendosur në televizor. Partitë me reklamat më të gjata televizive dhe kandidatët me performancën më të mirë në duelet televizive dolën më mirë në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare.
Por këtë herë gjithçka ishte ndryshe. Në fushatën elektorale Bolsonaro si kandidat nuk mori pjesë në asnjë duel televiziv. Prania e tij në televizion u kufizua në intervista ekskluzive me televizionin brazilian “TV Rekord”. Ky stacion është pronë e themeluesit të komunitetit fetar evangjelist “Kisha universale e Mbretërisë së Zotit” (Igreja Universal do Reino de Deus), Edir Macedo. Shumë prej spektatorëve të tij janë zgjedhës të Bolsonaros.
Globo jo, faleminderit
Intervistat e hollësishme te “TV Rekord” ishin jo vetëm një sinjal për mbështetësit e Bolsonaros. Ato ishin edhe një fyerje ndaj konkurrencës shumë të fuqishme të drejtuesit të tregut “TV Globo”. Por jo vetëm kaq: edhe me mediet e shtypura Bolsonaro ka ushqyer një raport pak miqësor. Raportimin e medieve të shkruara ai e ka karakterizuar shpesh si fake news dhe e zhvendosi fushatën e tij në rrjetet digjitale “Facebook”, “Twitter” dhe “WhatsApp”.
Veçanërisht në grupet e mbyllura të “WhatsApp” qarkulluan shumë fake news: miliona përdorues mësuan atje për shembull se kutitë elektronike të votimit në Brazil gjoja mund të manipulohen lehtë dhe se sfiduesi Fernando Hadad, i Partisë së Punëtorëve PT, do të edukojë si homoseksualë madje edhe fëmijë gjashtëvjeçarë. Megjithëse Gjykata e Lartë braziliane për Zgjedhjet e ndaloi shprehimisht përhapjen e këtyre lajmeve të gënjeshtërta: akuza nuk ikte më nga orbita digjitale.
As nga mendjet e miliona brazilianëve. Në një frymë, me të cilën Bolsonaro e vlerësoi pas zgjedhjeve si të “shenjtë” dhe “të mirëseardhur” lirinë e mendimit, ai i parashikoi gazetës më të madhe ditore të Brazilit se do të pushojë së ekzistuari.
Kritikët në të ardhmen do të mbeten duarbosh
Në gjuhën e Presidentit të ardhshëm këto kërcënime janë të veshura me pambuk verbal: “Unë nuk dua që gazeta ‘Folha de São Paulo’ të reduktohet, por po të më pyesin mua, një shtyp që sillet në këtë mënyrë nuk do të marrë më para nga qeveria braziliane”, tha Bolsonaro në intervistë me “TV Globo”.
Pra nuk do të ketë më reklama nga qeveria e re braziliane në mediet me raportim kritik. Në të njëjtën intervistë Bolsonaro e akuzoi sërish gazetën e përditshme FSP se ka botuar informacione të gënjeshtërta për fushatën e tij elektorale. Ndërsa stacioni televiziv “TV Rekord”, sipas tij ka raportuar në mënyrë të paanshme.
Një liri e tillë shtypi e llojit të Bolsonaros tregon se po vazhdon polarizimi i shoqërisë pas fitores në zgjedhje, njësoj si frikësimi i medieve të papreferuara. Provën e parë të forcës Bolsonaro e fitoi. E dyta sa ka nisur. Ashtu si edhe lufta për mbrojtjen e shtetit demokratik juridik.