‘Liria, besimi dhe pajtimi’ – qëndrimet dhe dëshirat e serbëve dhe shqiptarëve nga veriu i Kosovës
(Radio Evropa e Lirë) – “Liria dhe besimi”. Kjo është ajo që momentalisht i mungon më së shumti Dragisha Llakiqeviqit nga fshati Kutnje, në komunën e Leposaviqit, ku jetojnë kryesisht serbë.
Ai merret me bujqësi dhe prodhimin e djathit shtëpiak, mishit dhe produkteve të frutave.
Në një pronë prej rreth 12 hektarësh pranë lumit Ibër, ai kujdeset për kafshët shtëpiake.
Përveç kësaj, Dragisha është i punësuar në një nga institucionet e Serbisë që Qeveria e Kosovës i ka mbyllur nga fillimi i vitit 2024, duke argumentuar se funksionimi i tyre është i paligjshëm.
Disa nga institucionet e mbyllura janë Posta e Serbisë, Kursimorja e Postës, Organet e Përkohshme Komunale, Thesari i Bankës Popullore të Serbisë dhe Instituti për Sigurime Pensionale dhe Invalidore në Mitrovicën e Veriut, të cilat janë zëvendësuar nga institucione, posta dhe banka që operojnë në sistemin e Kosovës.
Megjithatë, Dragisha Llakiqeviq shpjegon se atyre u duhen edhe institucionet që punojnë në sistemin e Serbisë, në mënyrë që të mund të komunikojnë me të afërmit ose miqtë e tyre.
“Për shembull, ne jemi shumë më të orientuar drejt Rashkës, Kralevës dhe Novi Pazarit [qytete në Serbi], sesa drejt Vushtrrisë ose, për shembull, drejt Prishtinës [kryeqyteti i Kosovës që gjendet në jug të lumit Ibër]. Për fat të keq, por kështu është. Ne kishim të afërm në Prishtinë, por ata të afërm tanë nuk janë më në Prishtinë. Ata janë tani në Kragujevc ose Beograd. Dhe tani kur ky pushtet qendror na hap Postën e Kosovës këtu, çfarë të bëj unë me atë institucion këtu?”.
Serbia, ndërkohë, refuzon të mbyllë institucionet e saj për territorin e Kosovës dhe i ka zhvendosur ato pranë zonave kufitare nga ana serbe. Aty janë vendosur edhe bankomate ku qytetarët e Kosovës mund të tërheqin pagesat e tyre në dinarë, duke pasur parasysh që Qeveria e Kosovës ka ndaluar përdorimin e valutës zyrtare të Serbisë nga fillimi i vitit 2024.
Dragisha Llakiqeviq, por edhe shumica e serbëve të tjerë nga Kosova, i shohin këto veprime si “represion”.
“Çështja e dinarit, kjo është një çështje shumë e vështirë. Dua të them, të gjitha të ardhurat tona [nga buxheti i Serbisë] janë në dinarë, ndërsa tani këtu [në Leposaviq] nuk mund të paguajmë asgjë në dinarë, kështu që gjejmë zgjidhje, i shkëmbejmë në euro. Jeta këtu na është bërë e ndërlikuar, por shpresojmë për më të mirën”, thotë Llakiqeviq për Radion Evropa e Lirë (REL).
Pjesëtarët e komunitetit serb në Kosovë marrin të ardhura të ndryshme nga buxheti i Serbisë: paga, pensione, ndihma për nënat apo fëmijët, ndihmë sociale dhe pagesa të tjera.
Tetëdhjetëvjeçarja Sllobodanka Llazoviq nga Leposaviqi jeton vetëm, dhe është njëra nga ata që nuk janë në gjendje të udhëtojnë çdo muaj në Serbi për të tërhequr pensionin.
“Kam disa shoqe që kanë punuar në [Mitrovicën e Veriut], ato deri tani m’i kanë sjellë. Unë vetëm dal, ajo më telefonon dhe më thotë kur do të vijë autobusi dhe unë dal dhe e marr [pensionin]. Për më tutje, nuk e di si do të jetë”, thotë ajo për REL.
Mosbesimi ndaj Policisë së Kosovës
Llazoviq thotë se i rëndon prania e shtuar e Policisë së Kosovës dhe tensionet e vazhdueshme, sepse, siç thekson ajo, është mësuar “të ketë liri dhe të bëjë shaka”.
“Kështu duhet të mendosh mirë se çfarë do të thuash, nuk e di kush kalon, nuk e di si, çfarë”, thotë ajo.
Kosova rriti masat e sigurisë në fund të nëntorit, pas sulmeve ndaj komunës dhe stacionit policor në Zveçan. Disa ditë më vonë, ndodhi një tjetër sulm në fshatin Varragë, në komunën e Zubin Potokut, kur një pjesë e kanalit Ibër-Lepenc, i rëndësishëm për furnizimin me ujë dhe sistemin energjetik të Kosovës, u hodh në erë me eksploziv.
Megjithatë, Dragisha Llakiqeviq, ashtu si shumica e serbëve me të cilët Radio Evropa e Lirë ka biseduar për temën e masave të shtuara të sigurisë, nuk ka besim te Policia e Kosovës.
“Ky mosbesim është ndërtuar ndër vite. Ne ndaj Policisë së Kosovës, për shkak të arrestimeve të vazhdueshme, kemi krijuar një ndjenjë armiqësie, duke mos i pranuar ata si garantues të sigurisë apo si një shërbim të besueshëm, por si një forcë okupatore”, thotë ai.
Llakiqeviq mendon se situata në veri të Kosovës është përkeqësuar në vitin 2022 dhe që nga atëherë e ardhmja e tyre është e pasigurt për shkak të tensioneve të vazhdueshme.
Në atë vit, pikërisht në fillim të nëntorit, pjesëtarët e komunitetit serb u larguan nga institucionet e Kosovës, përfshirë policinë, me nismën e Listës Serbe – partia kryesore e serbëve të Kosovës, e mbështetur nga Beogradi.
Shkaku për këtë vendim ishte insistimi i Qeverisë së Kosovës, e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, për të hequr targat e regjistrimit të lëshuara nga Serbia për qytetet e Kosovës.
Nga këndvështrimi i sotëm, Llakiqeviq e sheh atë vendim si të gabuar.
“Menduam se do të arrinim disa rezultate, por gjithçka është vetëm përkeqësuar”, thotë ai për REL.
Pas daljes nga institucionet e Kosovës, serbët bojkotuan zgjedhjet lokale, gjithashtu sipas thirrjes së Listës Serbe, gjë që çoi në zgjedhjen e kryetarëve shqiptarë të komunave. Gjithashtu, Kosova vendosi në veri edhe policë nga komuniteti shqiptar, pasi ata nga komuniteti serb kishin dhënë dorëheqje.
Ndërkohë, pas shumë krizave gjatë dy vjetëve të fundit, Dragisha Llakiqeviq dhe rreth 4.000 serbë të tjerë në veri të Kosovës, në fund, zëvendësuan targat serbe me ato të Kosovës, RKS (Republika e Kosovës).
Si i shohin shqiptarët nga veriu i Kosovës veprimet e Qeverisë?
Rreth 30 kilometra larg Leposaviqit, Zahir Mehmeti nga Mitrovica e Veriut – komunë ku shumica e popullsisë i përkasin komunitetit serb – e përjeton situatën krejt ndryshe.
Për të, këto janë ditë gëzimi pasi është kthyer në shtëpinë e tij, e cila ishte shkatërruar gjatë luftës, rreth 25 vjet më parë. Ai shton se situata e sigurisë nuk ka qenë kurrë më e mirë.
“Isha refugjat në qytetin tim, në pjesën jugore të Mitrovicës, ku jetoja me qira. Për 24 vjet kemi jetuar me qira. Pas këtyre 24 vjetëve, falë Qeverisë [së kryeministrit Albin] Kurti, e cila e ndërtoi dhe na mundësoi kthimin në shtëpitë tona”, thotë Mehmeti për Radion Evropa e Lirë.
Ai është kthyer në Mitrovicën e Veriut me familjen e tij rreth katër muaj më parë.
“Unë nuk di si ta përshkruaj, nuk ka lumturi më të madhe”, shton ai.
Pas luftës së vitit 1999, Mitrovica u nda në dy pjesë – veriore me shumicë serbe dhe jugore me shumicë shqiptare, gjë që shkaktoi migrimin e banorëve brenda vetë qytetit.
Mehmeti thotë se situata ka ndryshuar dhe se fqinjët nga komuniteti serb në Mitrovicën e Veriut e kanë pranuar mirë kthimin e tij. Ai punon edhe punë ndërtimore te disa prej tyre, me të cilën merret zakonisht.
“Unë jam fqinj me njerëzit me të cilët jam rritur dhe me të cilët gjithmonë kemi jetuar bashkë pa probleme. Për sa më përket mua, jo vetëm mua por askujt këtu, nuk ka asnjë problem”, thotë ai.
Nënkryetari i Kuvendit të Komunës së Mitrovicës së Veriut, Skënder Sadiku, konsideron se janë krijuar kushtet për kthimin e shqiptarëve në veri të Kosovës.
“Mitrovica e Veriut aktualisht është një qendër urbane për serbët – një qendër politike, qendër shëndetësore dhe një vend ku, gradualisht, edhe komuniteti serb po e pranon kthimin e qytetarëve shqiptarë. Ky është një proces i dhimbshëm, sepse përfshin një periudhë të gjatë kohore”, thotë ai.
Procesi i kthimit të serbëve në jug të lumit Ibër, gjithashtu, është sfidues dhe sipas të dhënave të Ministrisë për Komunitete dhe Kthim të Qeverisë së Kosovës, rreth 30.000 nga 200.000 personat e zhvendosur gjatë periudhës 1999–2004, janë kthyer.
Sadiku thekson se Mitrovica, gjatë viteve të fundit, ka qenë një strehë për shumë persona të zhvendosur, si nga komuniteti serb, ashtu edhe nga ai shqiptar, dhe tani ka raste ku fqinjët serbë dhe shqiptarë ndihmojnë njëri-tjetrin.
Sllobodanka Llazoviq nga Leposaviqi shpreson për një të ardhme më të mirë dhe më të bukur për të gjithë, pavarësisht sfidave dhe tensioneve të shumta në veri të Kosovës.
“Kur të ndodhë edhe pajtimi, do të jetë edhe më mirë”, përfundon ajo. /REL