LIRIA E ALBANËS
BUJAR SALIHU
Të premtën e parë të asaj pranvere
Tufa e zezë e çafkave të grifshës
Pasi kishin mbrehur kthetërzezat
U shfaq me rafale të forta krrokamash
Shtinë mbi të gjithë burrat që panë atë ditë
Fëmijët e nuset i bënë bashkë, fytyrat ua gërvishën
Nga një gjarpër të zi në qafë ua lidhën
E në fund edhe mbi ta shtinë
Pas disa orësh në një shesh i ekspozuan kufomat e gjalla
I radhitën një për një, si në një fidanishte qiparisi
S’i kishte shpëtuar këtij rrebeshi
As Albana e re me të katër fëmijët e saj të njomë
Kur i kishte dalë kllapia, shikoi rreth e rrotull
Pa ta kishin mbuluar trupa të panumërt e të masakruar keq
Të hedhur si patate të mërdhira
Mbi një kamion gjigant që po ngiste plot ushtimë
Në ato momente tmerri sikur e pa greminen e hapur qëpo e priste
Sa keq që nuk m’paskan pushkatuar…
U rrotullua dhe deshi t’i shikonte fytyrat e përgjysmuaratë fëmijëve
Kur s’i pa më, u hodh me hov në udhën e re të vdekjes
As nga ai fluturim s’u puq me vdekjen, u rrokullis nën shumë gërmadha
Dhe të premten e fundit të po asaj stine, pa ikjen e çafkave të grifshës
Liria solli shumë lule, po Albanës i la në dorë veç një trëndafil të zi
Për ta vënë mbi eshtrat e burrit dhe katër fëmijve, që atë ditë e sot s’ua gjeti më
(Kjo poezi është botuar në sprovën për antologji “Dritë mbi plagë”, botuar nga Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur”, Gjenevë, 2020)