Liria e Shtypit, 95 gazetarë kanë humbur jetën gjatë 2018-ës
Në Ditën Ndërkombëtare të Lirisë së Shtypit, Federata Ndërkombëtare e Gazetarëve bëri të ditur se së paku 95 gazetarë kanë humbur jetën vitin e kaluar për shkak të detyrës.
Numri i vdekjeve është më i lartë krahasuar me 2017-ën, por jo aq i lartë sa vitet e mëparshme, për shkak të konflikteve në Irak dhe Siri.
Numri më i madh i vdekjeve të personave të punësuar në media është shënuar në vitin 2006-të, 155 persona.
Vrasja e gazetarit Jamal Khashoggi vitin e kaluar në Konsullatën e Arabisë Saudite në Stamboll, tërhoqi vëmendjen e mbarë botës e madje shkaktoi krizë diplomatike në raportet mes Ankarasë dhe Riadit.
Gazetarja Lajra Meki u vra muajin e kaluar teksa po raportonte për protestat në Irlandën e Veriut. Formacioni paraushtarak në atë vend e mori përgjegjësinë për vdekjen e saj.
Afganistani mbetet ndër vendet më të rrezikshme për gazetarët, pasi vetëm vitin e kaluar humbën jetën 16 persona.
Në njërin nga sulmet në kryeqytetin Kabul, humbën jetën nëntë gazetarë, të cilët erdhën në vendin e ngjarjes për të raportuar për sulmin me bombë.
Në SHBA, pesë gazetarë u vranë në sulmin ndaj “Capital Gazette” në Merilend.
Federata Ndërkombëtare e Gazetarëve konsideron se mungesa e lirisë për raportimet, populizmi, krimi dhe korrupsioni janë faktorë të cilët kontribuojnë për atmosferën në të cilën ndodhë që shumë gazetarë të jenë vrarë gjatë raportimit në qytetet e veta se sa në zonat ushtarake.
Kombet e Bashkuara dëshirojnë të theksojnë këtë vit rolin jetik të shtypit të lirë për demokracinë, posaçërisht gjatë zgjedhjeve.
Sekretari i përgjithshëm i KB-së, Antonio Guteresh përmes një deklarate tha se “asnjë demokraci nuk është e plotë pa qasje drejt informatave të besueshme dhe transparente”.
Courtney Radsch nga Komiteti për Mbrojtje të Gazetarëve theksoi se retorika kundër gazetarëve është bërë epidemike në shumë vende, veçanërisht në Filipine dhe SHBA.
Ajo beson se interneti dhe rrjetet sociale krijuan probleme të mëdha me të cilat duhet të përballen gazetarët.
“Reporterë pa kufij” në raportin për lirinë e mediumeve, e përshkroi situatën me të cilën përballen gazetarët në SHBA si “problematike”.
“Gazetarët amerikanë asnjëherë nuk kanë qenë të ekspozuar ndaj aq shumë kërcënimeve me vdekje dhe kanë kërkuar shërbime të kompanive private për sigurim”, është thënë në raport.