“Liria ka emër” falënderon qytetarët që marshuan për drejtësi: UÇK-ja na bashkon!
Ideatorët e platformës “Liria ka emër”, Ismail Tasholli dhe Eliza Hoxha, kanë falënderuar të gjithë qytetarët që në mënyrë masive i janë përgjigjur thirrjes për të marshuar për drejtësi për ish-krerët e UÇK-së që po mbahen padrejtësisht në Hagë, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe bashkëluftëtarët e tyre.
Tasholli tha se Ushtria Çlirimtare e Kosovës është vlera më sublime që ka krijuar kombi ynë, prandaj sot po marshohet kundër ndryshimit të historisë.
“Ju falënderoj nga zemra që i jeni bashkuar thirrjes sonë për drejtësi. UÇK-ja është emëruesi ynë i përbashkët. Është vlera më sublime që kemi krijuar si komb. Ne, si komb, njëzëri, bashkë, marshojmë kundër ndryshimit të historisë. Marrshojmë për drejtësi. Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi fillojnë nesër betejën e radhës. Betejën për të vërtetën dhe drejtësinë. Si gjithmonë, do të na kthehen fitimtarë e faqebardhë”, theksoi Tasholli.
Ndërsa, Eliza Hoxha u shpreh se UÇK dhe thirrja për drejtësi, sot i bashkon të gjithë qytetarët e Kosovës.
“Gjatë këtyre dy javëve, anë e kënd Kosovës, bashkë me Ismajlin e kam rijetuar historinë tonë. E kam ndjerë në dhimbjen e nënës Ferdonije, në guximin e Shyhretes dhe Vasfijes, në stoicizmin e Fahrije Hotit, në qëndresën e bacës Shaban. E kam parë dhe ndjerë sa e gjallë dhe sa e hapur vazhdon të jetë plaga jonë, dhe thirrja për drejtësi. Përulësisht, ju falënderoj nga zemra që jeni me ne sot. UÇK na bashkon. Të gjithëve. Pa dallim. Thirrja për drejtësi na bashkon. E unë jam e bindur se ky shesh do të forcojë sërish, në ditën e kthimit të luftëtarëve tanë”, tha ajo.
Hoxha kujtoi prillin e 24 viteve më parë kur qytetarët e Prishtinës ishin dëbuar nga shtëpitë e tyre, për t’u kthyer pas disa muajsh në Kosovën e lirë, pas fitores së luftës së UÇK-së.
“Si sot 24 vite më parë, Prishtina ishte shndërruar në një qytet fantazmë. Lumi i njerëzve të dëbuar me forcë nga shtëpitë e tyre nga ushtria dhe paramilitarët serbe kishte mësyer stacionin e trenit. Ai stacion, që ishte i mbyllur për më shumë se dhjetë vite, u hap atë ditë për të na dëbuar jashtë Kosovës, në një rrugë pa kthim. Po ne u kthyem, e këto sheshe u mbushën prapë, për të festuar çlirimin dhe pavarësinë. Si fotografe e re atëbotë, i mbajë mend shkrepjet e fytyrave me lot gëzimi kur të gjithë bashkë, shënonim ato fitore të mëdha. E këto fitore epokale, do të ishin të pamundur pa guximin, luftën dhe vetëmohimin e pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, tha ajo.
Qytetarëve iu drejtua edhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, i cili tha se nuk ka dyshim që Thaçi, Veseli, Krasniqi, Selimi e bashkëluftëtarët e tyre do të rikthehen fitimtarë, ashtu siç erdhën dikur, si çlirimtarë.
“Sot, ballëlartë e me zemër plot, marshojmë krenarë, për ata që dikur marshuan drejt lirisë. Marshojmë për të kërkuar drejtësi, për ata që nga nesër do të përballen më një proces gjyqësor, në të cilin nuk janë për shkak të emrave të tyre të përveçëm, por për shkak të epokës së lavdishme që përfaqësojnë. Marshojmë për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin, Rexhep Selimin dhe bashkëluftëtarët e tyre që sot janë larg nesh, duke e zhvilluar betejën e fundit, për dinjitetin dhe të vërtetën e luftës sonë për liri. Dhe duke besuar fuqishëm në drejtësi, nuk kemi dyshim se do të rikthehen si fitimtarë, ashtu siç erdhën dikur, si çlirimtarë, sepse janë heronj të gjallë, që përveç lirisë, s’kanë pasur një mision të dytë dhe përveç pavarësisë, s’kanë pasur një projekt rezervë. Sot, ne solidarizohemi me ta, sepse ata janë pasqyra e një rrugëtimi historik e kombëtar, demokratik e qytetërues, por që s’ka përfunduar akoma”, theksoi kreu i PDK-së.
Ai ka ftuar qytetarët ta ruajnë frymën e unitetit, për ta ripërtrirë përkushtimin për Kosovën, të cilën çlirimtarët e kanë ëndërruar.
“Ky është obligimi që kemi edhe ndaj Hashimit, Kadriut, bacës Jakup, Rexhës, Calit, Hysit, Nasimit e Pjetrit. Dhe kjo duhet të jetë rruga jonë e përbashkët për Kosovën e ëndrrave tona. Për Kosovën që na bashkon e në të cilën dielli do të lind përsëri. Lavdi e përjetshme për të gjithë të rënët për lirinë e Kosovës. Drejtësi për çlirimtarët tanë”, tha Krasniqi.
Flaka Fazlia, vajza e dëshmorit Fatmir Fazlia tha se Ushtria Çlirimtare e Kosovës është organizatë Çlirimtare dhe bota nuk duhet t’ia lejojë vetes që në emër të drejtësisë të dënojë njerëz të pafajshëm.
“UÇK-ja nuk ka kryer krime dhe nuk është në asnjë formë organizatë kriminale, por një organizatë çlirimtare. Pjesëtarët e UÇK-së ishin njerëz, të cilët dënesën e dhimbjeve tona kolektive, e kthyen në zë të fuqishëm, të cilin e dëgjoi e gjithë bota, e në veçanti Shtetet e Bashkuara të Amerikës, NATO dhe BE. Bota nuk duhet t’ia lejojë vetes që në emër të drejtësisë të dënojë njerëz të pafajshëm”, tha ajo.
Ish-ushtari i UÇK-së, Kjani Guri, tha se liria e Kosovës ka emrin e sakrificës, martirëve, heronjve tanë dhe të UÇK-së.
“Jemi sot bashkë këtu për të kërkuar drejtësi. Për të mbrojtur me këmbëngulje historinë tonë të lavdishme. Në UÇK kanë qenë bijat dhe bijtë tanë më të mirë, të cilët luftuan për lirinë e Atdheut. Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe të tjerët, nuk janë emra të përveçëm, por janë historia jonë, të cilën nuk do ta lejojmë të rishkruhet”, tha Guri.
Kryetari i shoqatës “Zëri i Prindërve”, Bajram Qerkini tha se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi janë liria jonë dhe do ta kalojnë edhe këtë sfidë.
“Rrofshin të rënët tanë. Rroftë ky popull. Ne po duam drejtësi për lirinë. Kemi luftuar për liri dhe nuk po e gëzojmë”, tha Qerkini.
Simboli i grave të Krushës dhe gjithë grave të forta shqiptare, Fahrije Hoti u shpreh e indinjuar që sot para gjykatës po dalin çlirimtarët e vendit, e jo ata që kryen krime në Kosovë.
“Jam sot bashkë me ju që të kërkojmë drejtësi për luftëtarët e lirisë. Jam sot me ju për të kërkuar drejtësi për të ardhmen. Familja ime dhe Krusha ende kërkojnë drejtësi edhe 24 vite pas luftës. Edhe bashkëshorti im është ende i pagjetur. Në vend të kriminelëve, sot, fatkeqësisht, para gjykatës po dalim çlirimtarët e vendit tonë”, theksoi Fahrije Hoti