‘Liria ka Emër’, rreth 100 mijë qytetarë thuhet se marshuan sot në sheshet e Prishtinës
Marshi i thirrur sot nga “Liria ka Emër” e që u quajt “Marshi për Drejtësi” mblodhi njerëz të shumtë nga e gjithë Kosova, por edhe më gjerë.
Përmes linjave të ndryshme të transportit, qytetarët e bënë të mundur pjesëmarrjen në marshin që nisi nga sheshi “Zahir Pajaziti” e vazhdoi deri tek sheshi “Skënderbeu”.
E sipas organizatorëve të këtij marshi , pjesëmarrës ost ishin rreth 100 mijë qytetarë të cilët marshuan për drejtësi për çlirimtarët.
Duhet përkujtuar që përmes këtij marshi, qytetarët përcollën mesazhin për kërkim të drejtësisë për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtarë të Kosovës, të cilët po vazhdojnë të gjykohen në kuadër të Speciales në Hagë.
Në marshin e sotëm nuk munguan as familjarët e ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe të tjerëve.
Madje në një moment, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi para turmës bëri të ditur se marshi në fjalë po ndiqej edhe nga vetë ish-krerët e UÇK-së, përmes një lidhje direkte.
Qytetarët me brohorima të shumta shprehën edhe një herë përkrahjen ndaj tyre.
Duhet përkujtuar që lufta e UÇK-së po vazhdon të vihet në dyshim në kuadër të këtij procesi gjyqësor, ndërsa shumë emra që i dhanë formë lirisë të cilën e gëzojmë sot po vazhdojnë të jenë pjesë e këtij gjykimi.
“Të duam Kosovë ❤️Faleminderit rreth 100.000 qytetarëve që marshuam së bashku për drejtësi për çlirimtarët tanë. Zemra plot.UÇK na bashkon”, u tha nga Liria ka Emër.