Liria ka emrin Ushtria Çlirimtare e Kosovës

25 korrik 2021 | 19:35

Rrëfime nga ish-i burgosuri dhe i mbijetuari i masakrës në burgun e Dubravës, Nait Hasani

Kalimi nga dhomat e ferrit në liri

Mbyllja e një tmerri e kalimi nëpër ferr. Sapo kaluam portën që ndanë dy botë, lamë prapa krahëve botën e tmerrit, të krimeve, të vrasjeve, të dhunës e të torturave çnjerëzore ndaj të burgosurve dhe ndeshëm botën e lirisë që sapo filluam teksa ecnim këmbë deri te autobusi. Dielli shkëlqeu me mirëseardhje me kushtet atmosferike të marsit. Ai diell na përqafoi me rrezet e tij duke na uruar mirëseardhje.

Autobusët sikur dukeshin ndryshe, sikur tregonin dashamirësi sepse nuk i kishin zinxhirët dhe prangat që na kishin lidhur sa e sa herë përuleshim në varg me pranga gardianët serbë, duke na transportuar sa andej e këndej Serbisë si pengje lufte e të burgosur politikë. Autobusi ishte pa hekura, pa zinxhir. Ishte i butë në pamje e i ëmbël në mikpritje. Edhe shoferi ishte mikpritës, na uroi mirëseardhje dhe na uroi fat. E ndezi autobusin dhe sapo lëvizi nga vendi, i mbylli dyert.

Në ato çaste m’u afrua një djalë i ri, me një mikrofon në dorë, me një laps e shikim të këndshëm. Mirë se erdhe, Nait! Urime lirimin nga burgjet! Jam Sadik Zeqiri, gazetar i “Epokës së re” dhe  bashkëvuajtës me ju. Kam dalë më herët nga burgu. Tani këtu jam në cilësinë e gazetarit dhe dua një deklaratë nga ju për burgun dhe daljen nga burgu. I falënderova të gjithë ata që kanë bërë çdo gjë për të na liruar nga burgjet.

Po ashtu, i thashë se ardhja në Dubravë përsëri, në vendin ku na kanë vrarë gardianët, të burgosurit serbë, policia e ushtria serbe dhe militarët e paramilitarë serbë, për mua është e papranueshme, të na kthejnë në këtë burg, të na kthejnë kujtesën e tmerrin në kujtesën tonë. Nuk mund t’ia falë UNMIK-ut këtë që na ka sjellë në këtë burg. Të na kthejë në vendin e vrasjeve të të burgosurve shqiptarë nga shteti serb. Duke folur me Sadikun në këtë intervistë të shkurtër, nga dritarja pashë të mbledhur familjarë e bashkëfshatarë, të afërm, miq dhe shokë të mi bashkëluftëtarë që kishte vite që s’i kisha parë. Autobusi u ndal.

U hapën dyert. Aparatet fotografikë u hapën duke na fotografuar. Dhe unë zbrita së bashku me kolegët e burgut. Aty u përqafuam me nënën, me babën, me motrat dhe Fatmiren (ushtaren  e parë të UÇK-së, tani gruan time).

Një qytetar më kapi me duar dhe më ngriti përpjetë. U përshëndetëm me bashkëfshatarë e kushërinj. U përshëndetëm dhe u përqafuam me Rexhën, Rexhep Selimin, me Maxhupin, Lahi Brahimajn, me Bislimin, me Islamin e Naimin, Avdiun e plotë të tjerë. Kishte vite që s’i kisha parë. Kisha mall e dashuri t’i shihja. Kishim nisur një rrugë bashkë në luftën tonë me UÇK-në për çlirimin e Kosovës dhe trojeve shqiptare, kishim nisur rrugën me dashuri e vetëdije për sfidat që kishim përpara. Kishim nisur rrugën që lirinë mund ta arrijmë me fitore të luftës sonë me gjithë sakrificat. Kishim nisur rrugën duke e ditur se edhe mund të vritemi e të biem në burgje. Kishim nisur rrugën e luftës për të qëndruar në trojet tona, për ta mbrojtur atdheun.

Për ta mbrojtur tokën tonë “den baba den” që na kanë lënë të parët. Me armët tona të rreshtuara në UÇK, ne i dolëm zot vendit në kohën e duhur, në çastin e duhur për ta realizuar ëndrrën shekullore – çlirimin e atdheut. Në këtë rrugëtim tonin ishin në rrugë të njëjtë të interesave politike të faktorit strategjik ndërkombëtar, ShBA-së, NATO-s dhe BE-së që e arritën këta djem me UÇK-në gjatë këtyre viteve të luftës, prindërit tanë me gjithë shekujt bashkë nuk mundën ta bëjnë për shkak të rrethanave politike që nuk ishin në anën tonë. UÇK-ja shfrytëzoi mrekullisht rrethanat politike dhe finalizoi qëllimin politik dhe ushtarak: çlirimin e Kosovës nga Serbia pas një shekulli shtypje e kolonizimi, vrasje e gjenocid. Edhe një herë përqafova Rexhën e Lahiun për ta hequr mallin dhe për t’i uruar për luftën, çlirimin dhe lirinë e arritur. Në këtë turmë të madhe njerëzish, secili duke u përshëndetur me njëri-tjetrin me mall, shpërthyen lotët e gëzimit që dukeshin nëpër faqet e tyre.

Tashmë filluan të niseshin makinat, ta lënin atë hapësirën para burgut dhe të merrnin drejtimin e rrugëve të fshatrave e qyteteve të të ish-të burgosurve. Ne, pas përshëndetjeve, hipëm në makina. Në një makinë hipëm unë, Rexha, Lahiu, Fatmirja dhe Islami (vëllai i Rexhës) që e voziste makinën. Planifikuam të shkojmë në Prekaz te varri i Adem Jasharit në fillim, pastaj në shtabin qendror të TMK-së në Prishtinë, pastaj për në Randobravë e Prizren. Makina ecte dhe ne bisedonim me Rexhën, Fatmiren e Lahiun, herë-herë përqafoheshim nga malli. Kishte vite që nuk ishim parë. Ishte zhvilluar luftë dhe ne kemi qenë në pozita të ndryshme. Ata në luftë, unë në burgje. Ata tregonin për shokët që kanë rënë në beteja, për heroizmat e shokëve në luftë etj., për betejat e Mujës, Myrtës, Naserit, për rëniet në fushëbetejë në mënyrë heroike duke luftuar ballë përballë me policinë e ushtrinë serbe.

Në bisedë e sipër mbërritëm në Skenderaj. U kthyem majtas dhe morëm përpjetë për Prekaz nga fabrika e municionit. Aty të bombarduara shtëpitë e para te Sahit ge Musë Jasharit (të vrarë nënën e babën aty në shtëpi). Makina ecte ngadalë. Makina u ndal. Në të djathtë shtrihej një fushë e madhe, në sfond të saj varrezat e renditura një pas një sipas moshës. U nisëm nëpër trasenë e drunjtë dhe u ngjitëm shkalleve. Përballë nesh ushtarë të uniformuar në roje nderi pranë varrit të Adem Jasharit. Mora buqetën me lule dhe e vendosa mbi varrin e Adem Jasharit. U zmbrapsa pak, u bëmë bashkë me Rexhën, Lahiun, Bislimin, Besimin dhe një grup shokësh të dalë nga burgu e me familjarët dhe bëmë nderime me një minutë heshtje për të gjithë Jasharët. Bëmë homazhe te varrezat dhe në lëvizje duke parë moshat e tyre nga më i vjetri më afër tetëdhjetëvjeçar dhe deri te më i riu dhjetë vjeç. Një familje e tërë, burra, gra e fëmijë. Shabani, Hamza, Ademi, Hamiti të gjithë nga familja Jashari. Duke bërë homazhe në varreza, në kujtesë m’u shfaqën ato rrugë që kisha kaluar së bashku me Adem Jasharin, me Sahit Jasharin, me Sylejman Selimin, me Rexhep Selimin, për ta organizuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe bërë planet për luftë guerile e frontale. Armiku largohet nga këtu nga trojet tona vetëm me barut dhe ne do t’i japim barut në çdo vend për ta larguar nga këtu për ta çliruar Kosovën nga Serbia, por na duhet strategji për ta arritur qëllimin tonë. Shihja varret dhe nuk gjeja në histori një rast të tillë qëndrese. Ky krim i tejkalon përmasat e një lufte gjenocidale. Ky ishte një krim i përmasave barbare, i një shteti barbar, një masakër në një familje që bëri shteti serb kundër një familje, duke vrarë pa mëshirë pleq e plaka, gra e fëmije, 46 anëtarë të familjes Jashari. Nuk ka mendje njerëzore që ta përshkruajë këtë ngjarje me laps. Ndoshta këtë mund ta bëjë vetëm perëndia. Aty ishte, në ballë të Jasharëve, Adem Jashari, komandanti legjendar i UÇK-së me vëllanë, Hamzë Jasharin, me familjet e tyre. Historia nuk ka të ngjashëm rast të tillë, rast unik në mbrojtje të atdheut një familje e tërë.

Herë-herë inkuadrimet e bisedave të Rexhës, të familjarëve më kthenin në realitet dhe në kohë. I lamë varrezat dhe morëm rrugën për te kulla e Jasharëve. Aty na priste baca Rifat Jashari. Aty rrugës pashë odën që e kishin bombarduar, gjurmët dukeshin nga jashtë. Pashë dhe dritaret e shkatërruara nga granatat e policisë e ushtrisë serbe në luftë me Adem Jasharin dhe familjen Jashari. M’u shfaq edhe dhoma ku kisha fjetur në këtë odë sa e sa herë kur isha ilegal tek Ademi, bashkë me Rexhën dhe Sylën. U ndalen makinat para shtëpisë së re, konkretisht para odës së Jasharëve. Hapëm derën dhe u ngjitëm shkallëve. Në ballë të odës na pret baca Rifat në këmbë. Mirë se rdhe dhe urime lirimi nga burgjet, më uroi baca Rifat. Ulemi dhe bisedojmë për sakrificën e Ademit e Hamzës dhe familjes Jashari. Tregova për takimin e fundit që kisha me Ademin e Rexhën më 17 janar 1997 te “Betoni i Polacit”, përafërsisht edhe bisedat që kishim zhvilluar. Po ashtu, edhe rrugën që kishim bërë bashkë me bacën Rifat nga Tirana deri në Prekaz së bashku me Rexhën në vitin 1996. Pimë kafet e mirëseardhjes dhe për shkak të kohës së shkurtër që kishim, u përshëndetëm dhe i uruam shëndet njëri-tjetrit me bacën Rifat dhe familjen Jashari aty.

Pas Prekazit morëm rrugë për Prishtinë. Rrugës përsëri biseda e përqafime sa me Lahiun e sa me Rexhën dhe me Fatmiren herë pas here e sa herë Islami na fliste për çorapët e teshat që kishim dashur t’i blejmë në Shkodër që më 1995, e i kisha shkuar në nerva atij në atë kohë kur isha me Rexhën në Tiranë për punë organizative të UÇK-së. Ai bënte të qeshnim me historitë e tij. Makinat u ndalën para shtabit të përgjithshëm të Trupave të Mbrojtjes së Kosovës (TMK). Zbritëm nga makina. Në pritje komandanti i TMK-së, gjenerallejtënant Agim Çeku. Na priste edhe garda në rresht. U përshëndetëm me gjeneral Çekun dhe i bëmë gardës së nderit në pritje. Më pas shkuam në zyrë të gjeneralit. Aty në tavolinë ishte Agimi (Çeku), Syla (Sylejman Selimi) dhe ushtarë të TMK-së, ndërsa unë isha me Besim Ramën, Bislim Zogajn dhe disa të burgosur të tjerë. Bashkëbiseduam, duke i falënderuar ushtarët për luftën e sakrificën e dhënë për liri. Liria ka çmim, ka sakrifica, ka rënie të ushtarëve, por ka edhe fitoren. Atyre që kanë dhënë jetën për liri, respekt dhe nderime për jetë. Neve na duhet të ndërtojmë shtetin tonë dhe të mbrojmë atë me çdo kusht. Duke i falënderuar për pritjen e përzemërt, u përshëndetëm. Hipëm në makina, pasi tashmë në TMK na zuri terri e u bë natë. Me makina morëm rrugën për në Randobravë dhe Prizren. Rrugës biseda e çmallje me njëri-tjetrin. Makina ecte nëpër kthesa e Islami që voziste në kujtonte që jemi në makinë.

Morëm rrugën për fshatin tim, Randobravë. Në hyrje pashë gjurmët e granatimeve të rezervave të naftës të bodrumit në Krushë të Vogël. Në mure më thanë a po e sheh thënien e shkruar në ndërtesën e stacionit të trenit: Ku është Nait Hasani? Dhe qeshëm dhe thanë në makinë është Naiti.

Rruga për fshat ishte e pashtruar dhe me gropa të mbushura me ujë, por ishte e kalueshme për makina. Në hyrje të fshatit filluan boritë e makinave. Te shkolla pashë fshatarët e mi që kishin dalë të na pritnin. Kishin organizuar një pritje madhështore. Ishin renditur në radhë për të më përshëndetur. Fillova t’i përshëndes të gjithë një nga një, dorë për dore. Pas meje ishte Fatmirja, nëna, baba, axha im dhe bashkëvendësi im Hasan Ferati, i cili ishte liruar edhe ky nga burgu. Në fund kishin vendosur një binë me fotografi dhe mikrofonë. Këndonin dhe brohoritnin “UÇK, UÇK…”. Nën tingujt e këngëve, valleve dhe brohoritjeve “UÇK, UÇK…” hipëm në binë.

Sapo hipëm filluan krismat e pushkëve në shenjë gëzimi dhe përshëndetje me armë për ardhjen tonë. Mbajtën fjalë rasti Hazer Shala, drejtor i shkollës dhe dajë i babës. Një fjalë rasti mbajti dhe Bislim Zogaj, bashkëvuajtës imi nëpër burgje, anëtar i shtabit operativ të UÇK-së. Bislimi foli me tone gëzimi e mirëseardhje, me epitete për qëndresën nëpër burgje dhe sakrificën tonë. Pas tij mbajtën fjalime edhe bashkëluftëtarë të tjerë, Shaip Rexhepi, Milazim Hajredini etj. Edhe unë mbajta një fjalë rasti. I falënderova të gjithë për pritjen, për organizimin. Na pritën si heronj. I falënderova për luftën që kanë bërë në radhët e UÇK-së, për luftëtarët që kanë rënë dëshmorë, që kanë dhënë jetën për liri e çlirim të Kosovës. U thashë që pushkët e juaja janë bashkuar me pushkët e Adem Jasharit dhe janë këto pushkë që Kosovës ia kanë sjellë lirinë.

Liria ka çmimin e shtrenjtë dhe ju  keni paguar me gjakun tuaj. Liria ka emrin UÇK. Jam krenar me ju e luftën tuaj. Liria e çlirimit të vendit është pjesë e kontributit tuaj që ishit në radhët e UÇK-së dhe ndihmës së faktorit ndërkombëtar. Nën tingujt e muzikës dhe brohoritjeve bëmë fotografi të shumta më bashkëfshatarë, shokë dhe miq. Bashkëfshatarët, në shenjë mirënjohje, na dhanë fotografinë e Adem Jasharit dhe të UÇK-së që e kishin përgatitur për mua. Mes përshëndetjeve me bashkëfshatarët e mi dhe të fshatrave përreth, marrim rrugën për Prizren, për banesën që ia kishin dhënë familjes, sepse shtëpinë në fshat policia dhe ushtria serbe e kishin djegur dhe bërë shkrumb e hi në shenjë hakmarrje ndaj meje dhe bashkëvendësve të mi të angazhuar në luftën e UÇK-së. E kujtoj dhe kurrë nuk e harroj datën 27 mars 2002, ku i mbylla vitet e burgjeve, të kaluara nëpër dhomat e ferrit e mes tmerrit e dhunës, përballë vdekjes, duke jetuar me vdekjen bashkë.

Burgje të kaluara radhazi për katër herë i arrestuar e liruar, torturuar sa nga UDB-ashët serbë, sa nga UDB-ashët shqiptarë që ishin para viteve nëntëdhjetë, nga 30 nëntori i vitit 1983 deri më 27 mars 2002. Duke kaluar mbi dhjetë vjet burgje, sot kjo sfidë, me arritjen në shtëpi rreth orës 23:00 të natës, përfundoi. Përfunduan ndjekjet dhe burgosjet. Tashmë jam i lirë. Jetoj në liri. Liria ka emër – Ushtria Çlirimtare e Kosovës. (Fund).

Si e morëm lajmin për kthimin tonë në Kosovë nga burgu i Nishit në vitin 2002

Ja pse Nait Hasani nuk lejoi që Albin Kurti të lirohet natën nga burgu i Nishit

Vizita e deputetëve të Kuvendit të Serbisë dhe kërkesat e të burgosurve shqiptarë

Burgu i Nishit ndryshe nga i pari…‘Ende jam gjallë’

Kur gardiani më ftoi ta pastroja dhomën e Millosheviqit, i thashë unë atë e kam luftuar

Si i kërcënoi drejtori i burgut të Dubravës, Aca Rakoçeviq, grevistët shqiptarë në burgun e Beogradit me futjen në qeli

Si i vizituan Flora Brovina e Fatmire Zogu të burgosurit në Beograd dhe si u lirua i burgosuri Xhevat Podvorica?

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një aksident ka ndodhur në aksin rrugor Shëngjin-Lezhë. Mësohet se…