Liria nuk e vlerëson, por e dëshpëron Gjerajn
Skuadra e Lirisë së Prizrenit e ka dëshpëruar ikonën e saj, Robert Gjerajn, të cilit, në vend të vlerësimit, i ka dhënë dëshpërim të madh, duke e detyruar të largohet para fundit të kontratës nga klubi për të cilin ishte angazhuar maksimalisht. “Isha pjesë e Lirisë për më shumë se dy vjet. Kam kaluar çaste të mira në këtë klub. Megjithatë, kam merituar një respekt më të madh nga njerëzit që e drejtojnë klubin”, ka shtuar Gjeraj.
Në mes të KF Liria dhe kapitenit Robert Gjeraj ndodhi krejt e kundërta e asaj që pritej. Në fakt, skuadra prizrenase, në vend të vlerësimit, i dha kapitenit të saj vetëm dëshpërim, pavarësisht prej angazhimit të madh të futbollistit për ngjyrat e klubit. Mbrojtësi me përvojë të madhe në futbollin e Kosovës është larguar edhe zyrtarisht nga Liria pas mosmarrëveshjeve me trajnerin Bledi Shkëmbi. Gjeraj të për “Epokën e re” ka thënë se nuk e priste një gjë të tillë nga drejtuesit e Lirisë, ndërsa është i befasuar me sjelljet e trajnerit nga Shqipëria, Bledi Shkëmbi. “Nga Liria jam larguar që një muaj e gjysmë, por zyrtarisht nga e diela e kaluar nuk jam më pjesë e kësaj skuadre. Krejt kjo ka ardhur pas mosmarrëveshjeve me trajnerin Bledi Shkembi ku, përveçse nuk më respektoi si kapiten e lojtar, ai nuk e vlerësoi as angazhimin tim maksimal që kisha në fushë dhe jashtë saj. Sjelljet e tij ishin të padrejta, prandaj vendosa të largohem e mos të qëndroj ashtu i pakënaqur”, ka thënë Gjeraj. “Isha pjesë e Lirisë për më shumë se dy vjet. Kam kaluar çaste të mira në këtë klub. Megjithatë, kam merituar një respekt më të madh nga njerëzit që e drejtojnë klubin”, ka shtuar Gjeraj. Pavarësisht prej largimit nga Liria, Gjeraj ka vazhduar përgatitjet me skuadrën e Ballkanit nga Theranda dhe forma e tij fizike është shumë e mirë. Ai është gati t’i dëgjojë ofertat dhe të vendosë për klubin ku do ta vazhdojë karrierën e futbollistit. “Fillimisht dua ta falënderoj skuadrën e Ballkanit për mundësinë që më ka dhënë për t’u përgatitur, kurse për të ardhmen ende nuk kam vendosur asgjë. Një gjë është e sigurt, se e ardhmja ime do të jetë aty ku secili klub mendon se mund t’i ndihmoj, kurse forma ime fizike është e mirë sepse nuk kam ndalur për asnjë çast përgatitjet”, ka deklaruar ai.
Robert Gjeraj karrierën e nisi në moshën shtatëvjeçare në shkollën e futbollit Shkëndija, kurse më pas u aktivizua në shkollën e futbollit Liria. Si 15-vjeçar kaloi në ekipin e parë të Lirisë. Më pas ky futbollist ka djersitur edhe fanellat e këtyre skuadrave: Getoarit, Trepçës ’89, Besës, Vëllaznimit dhe Ballkanit.
(Veton ZYMBERI)