Liria pa çlirimtarë është gjysmake
Shkruan: Agron Hoti
12 qershori 1999 shënon datën kur shqiptarët e Kosovës çlirohen përfundimisht nga terrori e gjenocidi mbi 100 vjeçar serb. Sot u bënë rrafsh 24 vite çlirim.
Asgjë nuk ka më të çmueshme në jetë sesa liria e jetesës, liria e shprehjes, liria e perspektivës, të cilat kurrë në histori s’i kishim. Sot i marrim lirinë e këtë standard të paparë jetese si të mirëqena, thua ti se gjithmonë na paskësh qenë kështu, por harrojmë që kjo liri na erdhi me çmim shumë të lartë, sepse u deshën mbi 100 vite rezistencë kombëtare qoftë edhe me gjak të qindra mijëra shqiptarësh që duke mos ndalur rezistencën kombëtare s’u dorëzuan kurrë para pushtuesit serb, pavarësisht që shumë prej tyre s’arritën kurrë ta shijonin lirinë që ne po e gëzojmë sot.
Përderisa gjyshin tim nga nëna s’e njoha kurrë ashtu edhe nëna s’e mbajti fare mend as si prind të vrarë në Masakrën e Tivarit, gjyshi im nga babai që kishte përjetuar tmerret nëpër burgjet serbe e thonte shpesh me dëshpërim e mërzitje të thellë: “a është jetë të jetojmë ndonjëherë të lirë, sepse linda, u rrita dhe u plaka nën këpucë dushmani (v.i. pushtuesi)”. Dhe ashtu ndodhi, gjyshi vdiq para luftës çlirimtare të UÇK-së, pa e ditur si ishte liria, pra pa e shijuar kurrë atë.
Prandaj, përulje deri në pafundësi për të gjithë ata dëshmorë e martirë që dhanë jetën për këtë ditë që sot po e gëzojmë i madh e i vogël! Përulje deri në pafundësi për të gjithë ata djem e vajza të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që s’kursyen as jetën për këtë liri që kurrë s’e kishim! Përulje deri në pafundësi për të gjithë ata që në një mënyrë apo mënyrë tjetër kontribuan për këtë ditë!
Nuk duhet të harrojmë kurrë që datë shënon edhe zgjerimin e Perëndimit drejt Lindjes, ndaj përulje deri në pafundësi edhe për Perëndimin që ngriti në ajër afro 1 mijë avionë bombardues, përfshirë dhe gatishmërinë për ta pushtuar qoftë edhe me forca tokësore tërë Serbinë që po bënte gjenocid ndaj shqiptarëve vetëm pse ne ishim shqiptarë. Shqiptarët nëse duan të mbijetojnë si komb, nuk guxojnë t’i ikin as edhe një minutë të vetme rreshtimit krah Perëndimit, sepse pasojat e Lindjes i kemi përjetuar shekuj me radhë, ndaj dhe ishim mish për top e të poshtëruar si askush në Evropë.
Por, kjo liri e begati që kurrë s’e kishim, nuk mund të konsiderohet ende e plotë, gjersa çlirimtarët tanë ende paguajnë çmim lirie në Hagë, në një gjykatë politike të mbjellë nga Serbia e Rusia në zemër të Evropës, pra në Këshill të Evropës, aty ku në fakt do të duhej të dënohej Serbia gjenocidale e jo Kosova çlirimtare. Mbrojtja më e mirë është sulmi, ndaj Rusia meqë e kishte mbërthyer Evropën pothuaj nën kontroll të plotë 2000-2022 po ngriste këtë gjykatë politike kundër Kosovës për ta goditur e diskredituar Perëndimin dhe për ta dështuar shtetin e Kosovës. Qëllimi i Rusisë ishte dhe vazhdon të jetë përmbysja e historisë në favor të saj.
Por, kush kujt i hap gropën, bie vetë në të. Ndaj, Rusia me agresionin e saj në Ukrainë u përjashtua pikërisht nga Këshilli i Evropës dhe me këtë dielli për shqiptarët prapë filloi të shëndriste nga Perëndimi, gjersa diskreditimi i asaj gjykate politike kundër çlirimtarëve nisi intensitetin e saj duke pikënisur pikërisht nga shteti amë shqiptar, përpjekjet e të cilin s’rreshtin së diskredituari.
Edhe familjet e çlirimtarëve në Hagë kanë dëshirë, sikurse ne, ta shijojnë lirinë pranë këtyre çlirimtarëve të tyre, të cilët të dalë nga Universiteti i Prishtinës ia arritën si askush më parë deri me sot ta fitonin përkrahjen e tërë Perëndimit dhe botës demokratike. Për fat të keq Serbia e Rusia bashkë me shumë aleatë të tyre evropianë ia kishin dalë që përmes armatës së tyre prej kinse shqiptarësh të instaluar në Kosovë të krijonin një mjedis tejet armiqësor ndaj çlirimtarëve të UÇK-së, diçka e paparë në glob.
Dhe nuk është që s’ia dolën për fatin tonë të keq. Paramendoni, pavarësisht gjenocidit që kishte bërë Millosheviqi ndaj nesh dhe të tjerëve në Serbi nuk e gjen as edhe një njeri të vetëm ta quajë Millosheviqin kriminel, ndërkohë që në Kosovë gjen armatë të tërë kinse shqiptarësh që ditë e natë punojnë për t’i dënuar çlirimtarët në Hagë, saktësisht siç i kishte përndjekur e dënuar të njëjtit Serbia. Dmth asi fryme antiçlirimtarësh ka mbjellë Serbia e Rusia në Kosovë sa sot armata e kinse shqiptarëve e quan “lulëzim” kohën e pushtimit serb, kurse “pushtim e shkatërrim” çlirimin nga pushtuesi serb. Deri në këtë shkallë na kanë sjellë jugonostalgjikët që sot po vlojnë nëpër institucione duke u lutur e lobuar fuqishëm që çlirimtarët të mos kthehen kurrë te familjet e tyre dhe te kombi që i lindi dhe rriti, gjersa shtetin e Kosovës, pavarësisht që deri dje s’e njihnin dhe e poshtëronin, sot po e shijojnë të njëjtin pa e lëvizur as edhe një gur të vetëm për të.
Por, do të jetë vetë diskreditimi i gykatës speciale, ai që do ta rikthejë lavdinë e çlirimtarëve duke i dhënë goditje përfundimtare atij shpirt shqiptari në dukje që edhe ëndrrat i sheh serbisht. Ekspozimi para botës i Rusisë në Ukrainë si agresore në Evropë si dhe sa më shpejtë që zgjidhet problemi Kosovë-Serbi vetëm sa do ta përshpejtojnë mbylljen me letra të kësaj gjykate politike.
Këta çlirimtarë me veprën kolosale për të mirë të kombit që i lindi dhe rriti, shkelën nëpër kancelari perëndimore më shumë se çdo shqiptar deri me sot. U munduan t’i përbaltnin siç mundohen edhe sot se ishin ruralë, të pashkolluar, të pakravatosur, të paparfumosur, pa zotnillëk e tylyfar poshtërimi tjetër që Serbia e Rusia edhe sot vazhdojnë të investojnë në një frymë të tillë antishqiptare. Por, harruan që ishte pikërisht vepra e këtyre çlirimtarëve që çoi një Serbi e Rusi të tërë në këmbë kundër tyre, sepse kontributi që këta çlirimtarë që dhanë me shokë e shoqe të tyre për ta larguar përfundimisht Rusinë nga hapësirat shqiptare nuk po mund të kapërdihej asesi nga Serbia e Rusia. Ndërkohë që shumica e akademikëve tanë, ata të hijshmit, të parfumosurit jugosllavisht e me kollare, ata që tërë jetën kishin qenë gju me gju me Serbi, po flinin në gjumë duke e quajtur pushtimin e robërinë serbe si administrim saktësisht siç secili pushtues në glob preferon ta quajë veten.
Por, Perëndimi e kuptoi se kush kryente punë për ta shtyrë Rusinë drejt lindjes, ndaj dhe ua hapi dyert pikërisht këtyre çlirimtarëve që u përgatitën politikisht nga i madhi Ukshin Hoti me pak shokë të gjeneratës së tij dhe u frymëzuan patriotikisht nga Ademi i Evropës që ishte kalbur në burgjet e pushtuesit serb. Perëndimi ua hapi dyert, sepse ua nuhati vendosmërinë e tyre të drejtë për ta çliruar një pjesë të kombit të tyre, të cilit në zemër të Evropës së fundshekullit 20 po i kanosej shfarosja përfundimtare nga gjenocidi serb. Nuk ka dije më të madhe, sesa ta çlirosh vendin tënd.
Prandaj, çfarëdo lirie pa çlirimtarët ngelet gjysmake. Respekt e përulje për këta çlirimtarë! Lavdi e përulje për tërë sakrificën e kombit shqiptar!
Urime Dita e Çlirimit të Kosovës! A.H.