Liridon Aliti, doktor i Nanoshkencës në Kopenhagë të Danimarkës
Pasi përfundoi fakultetin dhe masterin në Fakultetin e Shkencave Natyrore-Nanoshkencë në Universitetin e Kopenhagës, 27-vjeçari Liridon Aliti, shqiptar i lindur në Kopenhagë të Danimarkës, nga prindër tetovarë, të mërkurën mbrojti me sukses të shkëlqyer tezën e doktoratës të titulluar “Qasje mikrofluide për aplikimet biologjike duke përdorur nanostrukturat vertikale 3D”.
Rezultatet e Liridon Alitit dhe përfundimi i doktoratës në afat rekord janë inkurajuese dhe dëshmi se një numër talentesh shqiptarë kanë arritur të depërtojnë në universitetet më prestigjioze në botë.
Puna e Liridonit për të arritur deri në gradën e doktoratës në nanoshkencë duhet të shërbejë si shembull i mirë që duhet të ndjekin shumë të rinj që janë në shtetet e demokracive perëndimore.
Mirëpo, edhe shtetet tona duhet t’i hapin sytë dhe të gjejnë metodat joshëse për tërheqjen e kuadrove të tilla në universitetet shqiptare në Shqipëri, në Kosovë apo në Maqedoni, sepse përfshirja në gjirin e universiteteve tona të kuadrove të përgatitura në universitete të tilla është garanci për përmirësimin e sistemit tonë të arsimit.
Nuk na mbetet gjë tjetër pos ta urojmë Liridon Alitin për këtë rezultat të madh. Të lumtë Liridon dhe dalsh gjithmonë faqebardhë!
Liridon Aliti është djali i Adnan Alitit, veprimtar i shquar i çështjes kombëtare dhe gazetar i Radio Televizionit “Zëri i Kosovës” në Danimarkë.
(Lulëzim Etemaj)