Liridona Ademaj në botën tjetër, Naim Murseli me shok në burg, po mediat i dhanë fund spekulimeve?
Nga Musa Sabedini
Vrasja mizore dhe e porositur e Liridona Ademajt, shkaktoi traumë mediatike në shoqërinë kosovare, duke shpërfaqur dilema të shumta profesionale dhe mungesë etike. Mediet online me storiet e tyre abuzuan me rastin për të përfituar nga kjo tragjedi klikime, duke shkelur privatësinë dhe duke u marrë me gjëra banale dhe periferike. Media online duhet edhe më shumë të profesionalizohet sepse jemi treguar shumë të mangët në respektimin e kodeve të etikës, duke shkelur mbi parimet bazë të gazetarisë së mirëfilltë dhe të shëndoshë profesionale. Gazetar të rinjë, të papërvojë ishin ata që ofruan video e prononcime të palëve të përfshira në konflikte, sikurse ky rreth tragjik të ishte njëfarë “Big Brother”. Vërtet e frikshme dhe shumë shqetësuese kjo dukuri mediatike.
Publiku kosovar dhe ai mbarë shqiptarë në ditët e fundit ishte i terrorizuar nga lajmet senzacionale për vrasjen e Liridona Ademajt, vrasje kjo e porositur nga burri i saj dhe dy të dyshuarit, që tashmë ndodhen në qeli.
Kemi lexuar e parë gjithçka rreth kësaj tragjedie. Storie, kronika, mbulime të ndryshme, prononcime të avokatëve, të ekspertëve, figurave publike, njerëz pa ndikim e me ndikim mediatik. Një mish – mash paragjykimesh, që tek e fundit vetëm e dëmtojë procesin e ardhshëm gjyqësor.
Pse i tërë ky turr mediatik dhe pse e terë kjo joshje e medias online për të tërhequr vëmendjen?
Në ditën e parë kur ka ndodhur rasti media onile në përgjithësi u tregua korrekte sepse kureshtja e publikut ishte e madhe, për të ditur “vrasësin” dhe për të pasur njohuri e detaje, mbi motivet e rastit. Dhe kjo e kishte efektin e vet pozitiv.
Por që nga momenti kur Naim Murseli rrëfeu para policisë dhe mori përsipër se është i përfshirë në vrasje, të gjitha spekulimet tjera, teorit konspirative nga më të ndryshmet bijnë poshtë.
Aq më parë kur Naim Murseli nuk u dha në lajmet ditore si “vrasës i dyshuar”, por tërë kohën merrte kahje e paragjykime tjera në stilin ”Këshilltar” në këtë ministri, person i afërt me këtë politikan, njeri i biznesit e i krimit, homoseksual, trans gjinor, njeri që deshti të përfitoj nga sigurimi, e shumë e shumë etiketime e banalitete tjera.
Kurrë mos harroni: Një akuzë, një padi ose çdo akuzë duhet të provohet në gjyq dhe tani jemi në fazën intensive të hetimeve, që i kryen prokuroria dhe media nuk ka asnjë arsye të fus hundët ku nuk duhet.
“Kur bie telefoni në mesnatë, zjarrfikësit i duhet vetëm të veshë pantallonat dhe të shuaj flakët. Kurse gazetari duhet t`u tregojë një milion vetave se kush e ndezi shkrepësen dhe pse”.(David Randall, “Gazetari Universal”, (Mort Rosenblum, Associated Press).
Kjo thënie ka një peshë të madhe edhe në këtë rast, por ka pak dallime. Në rastin e Naim Murselit po dihet se kush është personi që kërkoi vrasjen dhe kush është ekzekutuesi.
Janë të pafalshme ato kronika që për pak minuta e terrorizojnë edhe lexuesin më pak të vëmendshëm.
Intervistat e dy prindërve të palës akuzuese në këtë fazë janë të padobishme dhe shkaktojnë kundër efekt. Llogariteni dëgjova pyetje edhe si kjo: ”Kur ke me shkue në Suedi”, një intervistë e stilit të rrugës: “A po më kallxon qysh e përjetove rastin” sikur ta kishte gazetari dajë a tezak prindin e Naimit, thjeshtë pa asnjë peshë mediatike, me përjashtim të joshjes së rrjeteve sociale.
Mendoj se në rastet e tragjedive të rënda redaksitë qendrore duhet të dërgojnë gazetar të përgatitur profesionalisht të cilët gjatë intervistimit ose gjatë përcjelljes së rastit duhet të tregojnë se janë të aftë, vigjilent, të përgatitur, këmbëngulës dhe të kujdesshëm.
Do të provohej e kundërta nëse Naim Murseli do të ndodhej në arrati ose nëse Naim Murseli do të ishte njëfarë “Supermeni” dhe “Jashtë tokësor”. Atëherë do të lejohej që media të luante një rol hetuesie për të qitur në dritë sa më shumë detaje. Ose nëse policia e prokuroria do të neglizhonte me rastin. Po tani e kemi rastin ndryshe. Naimi është në burg, Liridona është në botën tjetër, mediat ku po mbeten me tërë këtë shkarje e mungese profesionalizmi.
“Në gazetari ka një pyetje të lashtë, një pyetje që kurrë nuk do të marrë një përgjigje të prerë. A është më e rëndësishme e drejta e publikut për tu informuar sesa e drejta personale për privatësi. Kjo është një temë për të cilën debati gjithnjë ia ka vlejtur, qoftë edhe për t`i detyruar gazetarët të mendojnë pak më gjatë pasojat e asaj që bëjnë”, (marrë nga libri “Diskutim për etikën”).
Ta bëjmë më të qartë. Interes publik ishte Naim Murseli padyshim, interes për publikun ishte vrasja e porositur e saj dhe tani interes për publikun e gjerë është pritja nga drejtësia për ta vendosur dhe zbardhur rastin si duhet.
Media duhet të tregohet e përmbajtur sepse rivarrimi dëshmoi mungesë etike, pavarësisht se vëllau i Liridonës bëri apel për privatësi.
Ose ditën kur Naim Murseli doli para Gjykatës vetëm brenda dy orëve një portal plasoi mbi 13 lajme të natyrave të ndryshme. “Erdhi Naim Murseli”, “Shkoi në Gjykatë Naim Murseli”, “Doli nga Gjykata Naim Murseli”, “Avokatët u deklaruan për Naim Murselin”, “Ky është vendimi që mori Gjykata për Naim Musrelin”, “Kështu u protestua para Gjykatës për Naim Murselin” e tituj e tituj të tjerë, që fare lehtë kanë mundur të përmblidhen në një kronikë të vetme, ku do të kishte dominuar korrektësia, saktësia dhe objektiviteti në raportim.
Vrapimi i medieve pas fëmijëve të Naim Murselit është shkelje e rëndë e etikës.
Edhe në rastin konkret shumë lajme janë postuar dhe janë përcjellur edhe me foto, pak minuta pas tragjedisë. Fotoja e publikuar pak minuta ose orë është shkelje e privatësisë, ani pse presioni i medieve vije pikërisht nga rrjetet sociale të cilat fatkeqësisht nuk respektojnë as minimumin e mundshëm në raste të tilla.
Kur vendosim ta botojmë një lajm me foto të viktimës duhet të kemi parasysh nëse po shkaktojmë dhembshuri në familje, nëse rasti është në proces e sipër ose tjetra se ne po e kryejmë punën në mënyrë profesionale.
Ka shumë për të thënë rreth këtij rasti që vërtet u banalizua dhe u bë temë mediatike pothuajse e panjohur deri më tani, dhe këshilla kryesore është që portalet kryesore të njihen mirë me kriteret dhe udhëzimet mbi mënyrat e raportimit në rastet e ndjeshme.
Ekziston Këshilli i Medieve të Shkruara të Kosovës (KMSHK) që kujdeset për etikën dhe respektimin e kodeve të saj, thjeshtë lexoni dhe kuptoni të drejtat e juaja, por edhe të drejtat e të tjerëve, në raste të përfshira sepse tek e fundit Naim Murseli ende është vetëm një person i dyshuar.
Tani i takon prokurorisë që me mekanizmat e saj ta “djersitë” Naim Murselin për ta kuptuar esencën e vrasjes së porositur. Mediet e guximshme dhe hulumtuese e kanë fare lehtë të shfrytëzojnë lidhjet e tyre brenda prokurorisë për të kuptuar të vërtetën, por koha e spekulimeve tashmë ka mbaruar.
“Mos shto. Të mos shtosh do të thotë thjesht të mos shtosh fakte që nuk kanë ndodhur. Ose Mos gënje. Të mos gënjesh do të thotë të mos e fusësh kurrë publikun në qorrsokak”.”Bill Kovach/Tom Rosenstiel”
Amerikanët e kanë një shprehje shumë të qëlluar: “Edhe kur nëna thotë të dua, verifikoje”. Gjithçka që duhet të dimë dhe të veprojmë lidhet me saktësinë dhe vërtetësinë. E vërteta është mbi të gjitha dhe kryesorja sepse gjithçka lidhet e ndërlidhet rreth këtyre dy termeve gazetareske.
Autori është ligjërues në degën e Media dhe Komunikimi në UBT