Liridona Murseli që u vra mbrëmë kishte nënshtetësi suedeze, deputeti suedez flet për të: Ajo ishte një person absolutisht fantastik
Liridona Murseli, bashkëshortja e Naim Murselit, ish-këshilltarit të ish-presidentit Behgjet Pacolli, u vra mbrëmë nga hajnat të cilët kishin shkuar për ta plaçkitur shtëpinë e çiftit në Bërnicë.
Murseli sipas mediave suedeze, kishte edhe nënshtetësi të Suedisë.
“Një grua suedeze rreth të 30-ave është qëlluar për vdekje në Prishtinë të mërkurën në mbrëmje”, ka shkruar medium Expressen.
Lidhur me rastin është shprehur edhe deputeti Magnus Jacobsson, i cili e ka vlerësuar Murselin si një person “absolutisht fantastik”.
“Ajo ishte një person absolutisht fantastik. Njeri i ngrohtë, i mirë. Ju nuk e kuptoni vërtet se mund të ndodhë. Është e tmerrshme. Më vjen keq për humbjen dhe familjen”, ka thënë Jacobsson.
Tutje mediumi ka publikuar edhe përgjigjen e Policisë së Kosovës për tyre, të cilët tregojnë se si hajnat i kanë kërkuar gjërat me vlerë të familjes dhe më pas kanë gjuajtur me armë zjarri.
“Ajo ka qenë në veturë me familjen e saj kur një person i panjohur i armatosur i ka ndaluar, ka kërkuar sendet me vlerë të familjes dhe më pas ka hapur zjarr”, ka shkruar policia në Kosovë në një email për Expressen.