Lirika të dashurisë të mbështjella me petkun filozofik-meditativ
Maxhun Osmanaj
Kur lexuesi ka pranë një libër, në fakt ka edhe qëllimin si do ta lexojë atë. Pse themi kështu? Ngase ka disa lloj leximesh; leximi si argëtim, leximi sipërfaqësor, leximi më i thellë për të nxjerrë një mesazh, pra, për të shijuar një frut , për të ndërtuar dhe hetuar një koncept vlerash për atë libër. Fundja, lexuesi ka dhuratë shpirtin e autorit- autores, ngase vepra s’është asgjë tjetër, pos një material shpirtëror i shpërndarë në rreshta apo vargje për t’ua dhuruar të tjerëve, për të shijuar atë frut jo vetëm autori por edhe masa e lexuesve. Tani kur kemi në sofrën e lexuesve vëllimin poetik “Harrim në katër sy të bukur” , para syve dhe mendjes na shtrohen ca pyetje: si të lexohet lirika e këtij vëllimi e poetes, studiueses, prof. dr. Alisa Velaj? Të lexohet si rrëfim poetik, të lexohet si ekstazë shpirti, të lexohet si pikturë ndjenjash, të lexohet si meditim i brendshëm apo të gjitha këto lexime t’i bashkojmë dhe t’i shijojmë si një “ushqim” që na mban gjatë në kujtesë për shijen estetike?! Vëllimi poetik “Harrim në katër sy të bukur”, sikur ky titull na mashtron ëmbël dhe këndshëm, që dashuria, si nuse lojtare mund të vallëzojë me hapin, ritmin dhe trupin e saj para heroit lirik, para botës, por mund të mashtrohemi. Ngase përballë temës së dashurisë na “fshihet” një temë më e thellë, ekzistencializmi. Brenda këtij ekzistencializmi kalërojnë “degët” e këtij Lisi jetësor: filozofia, meditimi dhe dashuria. Ky trinom : dashuria, filozofia dhe meditimi ndërtojnë brumin shpirtëror thuaja të tërë vëllimit në fjalë. Libri nuk është ndarë në cikle, brenda ka 54 poezi. Nëse drithërimat e shpirtit dhe të zemrës kanë një tundosje, tharm dashurie, një gërshetim simbiozë, është e pamundur pa shpërthyer aty një vullkan që nxjerr “llavë” të përskuqur, që kaplon shpirtin e dashurisë. Poezia këtij vëllimi poetik si dëftim, shpeshherë kalon në formën e meditimit të brendshëm të heroit lirik në vetën e parë, si univers ndjenjash, përsiatjesh me botën e jashtme që e rrethon dhe me betejën e brendshme që “kacafytet” poetja, gjithnjë duke luajtur mjeshtërisht me figurat e fjalëve. Tipar i poezive të këtij vëllimi është përdorimi i shpeshtë i disa fjalëve çelës-kyçe që bartin simbolikën dhe semantikën kuptimore për të ndërtuar një “kala-vepër” siç janë : drita, dielli, terri-nata, deti-uji, toka, që padyshim krijojnë një simbolikë kuptimore dhe bëhen pjesë e universit të dialektikës së shoqërisë-natyrës. Autorja duke hyrë thellë në betejën meditative, bëhet pjesë e filozofisë poetike në kontekst të shpërfaqjes së ndjenjave, emocioneve. Poezia “Tej dritës, tej hijeve” i paraprin vëllimit, ku brenda katër strofave, në tri strofa përdor fjalën Dritë. Mendojmë që e përdor më shumë si koncept jete, udhëtimi, gjallërimi. Po ashtu përdor tri raste fjalën mëngjes si koncept udhëtimi-fillimi, si dhe foljen terret apo mbiemrin e terrtë. Duke hyrë në thellësinë e kësaj poezie-vepër, para syve na përfton dialektika e binomit përmbajtjesor; filozofik-astronomik, si ngacmim tematik që e preokupon poeten. Poetja hy në minierën e thellë të meditimit ku dritë-hija si togfjalësh bart simbolikën e jetës, që brenda bardhësisë-hijeve, dritës dhe territ, jeta është e ngjyrosur edhe me ngjyra të tjera të përziera që bartin semantikën kuptimore, ku shkruan : “Ka diçka si prej dritës mbi male ky mëngjes/ Je gdhirë në lartësi rrethuar nga errësira/Nën këmbë humnerë e terrtë/mbi krye qiell pikëlluar me yje të zbehtë/ as kthjellët nata, as krejt e pajetë” (fq.1. po aty). Nganjëherë na kujton poetin-prozatorin Pjetër Bogdanin me këtë ndërtim figurativ-simbolik-metaforik. Nuk mundesh t’i ikësh perceptimit dhe mbresës ekzistencialiste kur takon: qiell, natë, muzg, yje dhe dashuri në poezinë “Si vezë pashke” pa i dhënë një kompliment. Pra, a s’ka një paralelizëm apo ngjashmëri që na kujton poezinë mendimtare të Lasgush Poradecit?! Kjo padyshim se po, sepse vetë piktura filozofike e këtyre vargjeve na shpijnë aty. “Mu në degën e pemës së një kohe ti erdhe”. Velaj luan mjeshtërisht me tri figura kryesore: metaforë, krahasim, simbol apo antitezë. Alisa “zhbiron” thellë kështjellën apo minierën e dashurisë të quajtur jetë-natyrë si një binom i pandarë. Brenda këtij binomi gjen margaritarë dhe kristale mendimesh, që shkëlqejnë dhe provokojnë mendjen-lexuesin. Poetja , e armatosur me talent dhe përgatitje teoriko-estetike, del fituese në ide, formë , përmbajtje dhe mesazh, përballë betejave-temave . Poezia e Alisës herë na vjen edhe si dëftim poetik, herë edhe si përshkrim. Heroi lirik shpesh kthehet në vetën e parë, bëhet erë, zog shtegtar, ku e viziton edhe ankthi-frika…, dashuria. “Erë jam, zog i ikur vrik prej harrimit/ dhe puthjeve që ftohen/ buzët i dua të jenë me aromë kripe e shtegtimit i zë besë/ vetëm kur kryhet prej atit diellit” “Gjurmët e dashurisë”. Vallë, çka i mungon kësaj strofe të mbetur perlë dashurie të shprehur në mënyrën dhe formën e vet , ku kalërojnë : frika, ikja, dëshira, etja, bukuria, dashuria?! Pra, këtu gjejmë një bukuri të tejskajshme të meditimit, një stoli figurative, që shkëlqen në çdo kohë. Janë dy tipare poetike që veçojnë artin dhe shpirtin poetik të Alisës: rrëfimi poetik që e luan rolin heroi lirik dhe përshkrimi shpirtëror qoftë i brendshëm, qoftë i jashtëm, që ndërton pikturën formale të poezisë, ku kalërojnë stinët duke “ngacmuar” shpirtin e njeriut.
“Tipologjia figurative, ndërlidhja e të cilave krijon një tekst të ngarkuar e të ngjeshur semantik i jep mundësi poetes të shprehë anët e ndërlikuara të qenies”. “Megjithatë ajo vazhdon të jetë në kërkim të përmbushjes shpirtërore, përballë një gjendjeje ankthi, vetmie mbi dashurinë që, sa e bukur duket aq edhe e trishtë dhe e pasigurtë” (marrë nga parathënia, Dr. Valbona Avdylaj).
Një poezi tjetër që të thërret për interpretim estetik është poezia “Ndryshe e dëgjova zërin e dashurisë” ku frika, ankthi na parakalojnë pyllit të shpirtit, ndërsa “mijëra ujq më ulurinin në shpirt/ e prapë shpirti më mbetej shpirt/ as ujkërohej/ as ulërinte / as e shpërfillte Njeriun ” dhe vazhdon heroi lirik me vargun metaforik “po unë e kisha detin e dashurisë” dhe përfundon artin estetik “qava atëherë si fëmijë i fyer/ dhe në skaj të pikëllimës kur shtera gjithë lotët/ ndryshe e dëgjova zërin e dashurisë”. Poezitë e këtij vëllimi poetik na vijnë edhe si poezi e peizazhit shpirtëror, ku gjuha figurative e stolis mbarë kornizën e pikturës poetike, pra, i jap bukuri shprehjeje ku çdo “ngjyrë” poetike e plotëson imazhin tematik. Ndërsa poezia që mban edhe titulli i librit “Harrim në katër sy të bukur”, bart një peshë të bukur mendimi ku harrimi dhe dashuria sikur “zhvillojnë” një betejë të ëmbël, kur janari ngre kryet si fitimtar dhe si harrestar. Janari sikur paraqet gjithë atë pikënisjen e frontit “eksplodues” të manifestimit , afshit , ekstazës së shpirtit dhe qëndresës. Nganjëherë përzihet shtatori, tetori dhe nëntori, por pa ndonjë gjurmë të thellë, sikur janari. Nganjëherë kjo poezi duket sikur një “orkestër” e bukur ku secili instrument tingëllon pak në frymë nostalgjike duke u akorduar me penjtë e kohës drithëruese. Duket se epilogu i këtij “harrimi është i bukur, shkëlqen në sytë apo…?! Ndoshta na vjen edhe si mëkat rrëfimi dhe harrimi kjo poezi : “Jo nëntor, janar është/Fillimi i ditëlindjes së harrimit dhe i mpakjes së trishtimit tonë/ kohë kur lëmë peng sytë tonë të bukurisë/ peng lëmë fjalët dhe ofshamat / Dhe fytyrat peng të dimrit”. Poezitë e poetes Velaj bartin velon e ekzistencializmit të njeriut, duke u kalëruar në dialektikën e filozofisë dhe meditimit me përthyerje të mëdha, ku dashuria si motor shpirti ndez frymën e jetës. Nga këtu marrin udhëtim ndjenjat, prekjet, emocionet duke u përplasur nga “pushtimi” dhe “helmimi” i dashurisë për t’i dhënë kuptim botës. Heroi lirik është shtyllë e vargjeve, ndërsa heroi erotik është paksa i padukshëm, por është diku, gjallon… Në disa poezi hasim temën e peizazhit ku sikur krijon një gërshëtim apo zëvendësim me shpirtin. Pra një gjendje e jashtme “ngacmon” një botë të brendshme për të shpërthyer një pajtim apo mospajtim, përballë kësaj bote, shpeshherë kaotike. Ajo në vetën e parë, shpërfaq botën e brendshme, sikur do të ikë nga kthetrat e kohës, nuk gjen pajtim, pra heroi lirik sikur ka një mungesë, shpërthen haptas :
“Dua të iki, sa më parë të iki/ Të ndjekë me mall një udhë ku lartohet dashuria/ Të iki prej vetes e të mbetem aty/ sa herë ajri foshnjë më përkund ngashërimet” (“E diel”).
Stili figurativ dhe vargëzimi
Autorja fund e krye përdor një stil të ngjeshur figurativ, ku figurat bartin peshën e kuptimit semantik dhe loja me figura na shpie kah një poezi moderne. Ndër figurat kryesore që kemi hasur janë : “Kam ndjerë një dhimbje që ma ka shqyer kraharorin” (Metaforë), (poezia “Ndryshe dëgjova zërin e dashurisë”. “Qava atëherë si fëmijë i fyer” (Krahasim), të e njëjta poezi. “Hënë e zbehtë”(Epitet), “Amshohesh ti, e det më bëhesh, det” (Simbol), si dhe figura tjera, antitezë, hipërbolë… Te poetja Velaj hetojmë ca fjalë që rrallë i hetojmë një fjalorin poetik të poetët e tjerë: ujkëroj, diellojnë, muzgth, i zambaktë, të dielltë, rishmëz, i nëntortë, të mbarta, përshkënditje, të ujtë, etj., çka për poezinë shqipe duket një prurje-pasuri leksikore. Ndërsa sa i përket metrikës, poetja përdor një vargëzim të llojllojshëm, nuk i rri besnike konform rregullave. Përdor lirshëm, herë strofa dyvargëshe, herë trivargëshe, katërvargëshe deri në gjashtë-shtatëvargëshe. Rrallë përdor rimë, dhe atë të kryqëzuar, vargu i dytë rimon me të katërtin. Shpeshherë përdor vargje të lira, në aspekt të rrokjeve, ku hetojmë nga pesërrokëshe deri në gjashtëmbëdhjetë-shtatëmbëdhjetërrokësh.
Ky libër hy ndër ata libra poetikë që kërkon një lexim të thellë, krijon një “provokim” leximi duke sjellë një mesazh se nuk duhet kuptuar ajo që shihet në lexim të parë, por në një lexim më të thellë të lëvrojmë në fushën e vëzhgimit. Autores i dëshirojmë suksese të reja!