Lirimi i Nagip Krasniqit nga paraburgimi – avokati i tij, Tomë Gashi dërgon kërkesë në Gjykatën Supreme
Ekipi i Mbrojtës i Nagip Krasniqit, tashmë ish-drejtorit të Korporatës Energjetike të Kosovës, i cili u lirua nga detyra pas dyshimeve për korrupsion, ka dorëzuar në Gjykatën Supreme kërkesën për lirimin e Krasniqit nga masa e paraburgimit.
Kështu të paktën ka bërë të ditur, avokati i tij, Tomë Gashi.
Sipas Gashit, caktimi i masës së paraburgimit ndaj klientit të tij duhet të ndërpritet meqë masa në fjalë është caktuar pa kurrfarë baze juridike dhe e njëjta mund të zëvendësohet me një masë më të butë nga Supremja.
“Gjykata e Apelit faktikisht i ka heq dy prej rrethanave për të cilat është caktuar masa e paraburgimit dhe ka mbetur vetëm një arsye për të cilën nuk i është ndërpre paraburgimi, e që sipas Gjykatës së Apelit kjo është mundësia eventuale e ndikimit te dëshmitarët. Ne besojmë që Prokuroria ka pas mundësi që t’i marrë në pyetje këta dëshmitarë deri më tani sepse faktikisht ka kaluar veçse 20 ditë dhe përveç kësaj dëshmitarët kanë dhënë deklarata edhe në Polici, kështu që ne kemi besim të plotë që Gjykata Supreme do t’ia ndërprejë masën e paraburgimit Nagip Krasniqit”, ka thënë Gashi për Betimin për Drejtësi.
Ndryshe gjykata e Apelit të Kosovës ka vendosur lidhur me ankesën e mbrojtjes së kryeshefit të pezulluar të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi, të cilët kanë kërkuar lirimin e tij nga paraburgimi.
Kundër aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj Krasniqit avokatët e tij kishin ushtruar ankesë edhe në Gjykatën e Apelit, megjithatë, kjo kërkesë ishte refuzuar nga Gjykata e Apelit, duke e lënë Krasniqin në paraburgim.
Nagip Krasniqi, anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje, i vendosur në krye të KEK-ut përmes lidhjeve me partinë në pushtet, është arrestuar të mërkurën e 19 prillit me urdhër të Prokurorisë Speciale, nën dyshimet për kryerjen e tri veprave penale.
Krasniqi para kësaj pozite ishte drejtues i Komitetit për Energji në Lëvizjen Vetëvendosje, ndërsa arrestimi i tij ka ardhur pas bastisjes së zyrave të KEK-ut pasditen e së mërkurës nën dyshimin për veprat penale: “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’, “Ushtrimi i ndikimit’’ dhe “Konflikti i interesit’’.
Ai po dyshohet për keqpërdorime në një tender prej 3.4 milionë euro me kompaninë “Litwin SA” dhe partnerin vendor “Bujar B. Shala B.I.”, për kryerjen e punëve për remontin e turbinës dhe gjeneratorit të Njësisë A5 të TC “Kosova A”.
Emri i tij është përmendur edhe në rastin e skandalit financiar në Slloveni, ku dyshohet të jetë përfshirë edhe ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, me të cilin Krasniqi raportohet se ishte takuar në Kroaci gjatë muajit mars të vitit të kaluar.