LIRIMI I NËNTË USHTARËVE TË UÇK-së NGA BURGU USHTARAK I NISHIT
LULZIM SAHITI
Eshaloni i UÇK-së në luftë me forcat armike të pritës dhe dimrin e acartë në Pashtrik (13)
Në paraditen e 23 janarit të vitit 1999 ndodhi mrekullia e papritur. Nëntë të burgosurit shqiptarë i hipin në autobus, të cilët e kishin të ndaluar rreptësisht të flasin ndërmjet vete. Çdo njëri e kishte një polic (pa uniformë) ulur pranë vetes. Asnjëri nga të burgosurit nuk e kishin ditur nga po i çojnë, madje gjithnjë u kishte shkuar mendja për të keq se janë duke i dërguar për pushkatim ngaqë u mungonte çdo informatë nga jashtë. Në Kosovë kishin hyrë në pikën kufitare te Dheu i Bardhë nga e cila janë dërguar në ish-Kazermën Ushtarake “Zenel Hajdini” të Gjilanit, ku qëndrojnë nja dhjetë minuta. Pastaj, nisen në drejtim të Ferizajt, kalojnë nëpër Shtime dhe ndalojnë në fshatin Shirokë të Suharekës te një fabrikë, ku më parë kanë qenë të vendosur refugjatët serbë. Aty i presin pjesëtarët e Misionit Verifikues të OSBE-së me veturat e tyre të portokallta. Fillimisht, në autobus ua zgjidhin duart dhe një nga një i zbresin të burgosurit duke i futur në vetura të OSBE-së. Dy-tri vetura me ushtarët e liruar të UÇK-së, nisen në drejtim të Malishevës, por ende ishin të trishtuar dhe nuk besonin se janë liruar. Në postbllokun e parë të UÇK-së, në fshatin Dragobil të Malishevës ndalojnë kolonën e veturave të OSBE-së për legjitimim. Në këtë vend, nëntë ushtarët trima i gëzohen lirimit dhe e kuptojnë se tashmë janë në duar të sigurta, pra të liruar nga kriminelët serbë. Mandej, i dërgojnë në shkollë të Likocit (Skenderaj), ku i pritnin ushtarët dhe popullata civile e kësaj treve. Aty, zëdhënësi i UÇK-së Jakup Krasniqi i merr në shtëpi të vet, Enver dhe Xhavit Krasniqin, ku kanë ngrënë darkë dhe po atë natë nisën për në Kleçkë të Lipjanit. Nga aty së bashku me Ramë Bujën, vazhdojnë rrugën për Krojmir, kurse pjesa tjetër e ushtarëve shkojnë nëpër zonat ushtarake ku kanë shërbyer më parë.
Tërheqja e 35 trupave të dëshmorëve dhe varrosja e tyre në Polac të Skenderajt
Për shkak të luftës, shumë familjarë të ushtarëve të vrarë, nuk kishin mundësi të tërheqin trupat e të vrarëve dhe kështu Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së së bashku me Zonën Operative të Pashtrikut vendosën që të formohet një këshillë i qytetarëve nga Krusha e Madhe si një ndër bazat më të forta të UÇK-së, që ishte afër Prizrenit. Këshilli i Qytetarëve nga Krusha e Madhe (Rahovec) së bashku me Misionin Verifikues të OSBE-së në Kosovë, më 19 dhjetor 1998 kanë bërë tërheqjen e 35 trupave të ushtarëve të vrarë, që ndodheshin në morgun e Spitalit të Prizrenit, dy prej të cilëve ishin të paidentifikuar.
Më 20 dhjetor të vitit 1998, trupat e 33 dëshmorëve, i varrosin me nderime ushtarake në Varrezat e Dëshmorëve në Polac të Skenderajt, ndërsa dy trupat e paidentifikuar u varrosën më 22. dhjetor 1998 në Kleçkë. Pesë të rënë të tjerë të cilëve u kishin humbur gjurmët në dëborën e madhe janë zbuluar nga bashkëluftëtarët e tyre, në maj 1999 gjatë operacionit “Shigjeta” të UÇK-së. Për shkak të luftimeve të ashpra dhe kushteve të rënda atmosferike, varrimi i Veli Ballazhit, Afrim Musliut, Selim Selimit, Besim Qarrit dhe Astrit Bytyqit u bë më 15 maj 1999 në Pashtrik nga bashkëluftëtarët e tij me nderime ushtarake. Pas përfundimit të luftës, dëshmorët e lirisë: Afrim Musliu dhe Selim Selimi nga Belinci u rivarrosën në vendlindjen e tyre më 4 korrik të vitit 1999.
20 dhjetor 1998, pamje gjatë varrimit të dëshmorëve në Polac të Drenicës
Ndërsa, trupat e dëshmorëve: Astrit Bytyqi dhe Besim Qarri u rivarrosën në Varrezat e Dëshmorëve në Mollopolc. Më vonë, gjegjësisht më 28 shtator 1999, trupat e shumë dëshmorëve të kësaj ane u rivarrosën në Kompleksin e Varrezave të Dëshmorëve në hyrje të Ferizajt, te vendi i quajtur “Mulliri i Kukës”. Mbetjet mortore të dëshmorit Veli Ballazhi janë rivarrosur më 29 gusht 1999, në Varrezat e Dëshmorëve të Luftës në Pustenik. Në muajin tetor 1999, patologët i kanë identifikuar dy trupat që ishin varrosur në Kleçkë. Ata ishin dëshmorët: Gani Elshani dhe Ramadan Elshani. Ramadanin e rivarrosin në varrezat e njëjta, ndërkaq familjarët e rivarrosën Ganiun më 30 tetor 1999 në Varrezat e Dëshmorëve të Luftës në Krajkovë. Ndërsa, dëshmori Hazir Nezir Kryeziu (1955) nga Mleqani i Malishevës ende ka mbetur në regjistrin e të zhdukurve.
Pas zhvendosjes së dëshmorëve nga Polaci, më 27 qershor 2018, trupat e pesë dëshmorëve të komunës së Shtimes: Fadil Rashiti, Kadri Ademaj, Hafir Bajrami, Arben Hyseni dhe Xheladin Xheladini janë rivarrosur në Varrezat e Dëshmorëve të UÇK-së në Shtime.
Pllakë përkujtimore për dëshmorët e rënë më 14 dhjetor 1998 dhe luftëtarëve pjesëmarrës në këtë betejë
Në vendin e quajtur “Likenet e Hasit”, më 14 dhjetor 2018 është bërë zbulimi i Pllakës Përkujtimore në nderim të komandantit të Brigadës 113 të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Mujë Krasniqi dhe 40 bashkëluftëtarëve të tij. Po ashtu janë skalitur në mermerë emrat e të gjithë pjesëmarrësve në këtë fushëbetejë të përgjakshme. Ndërsa pjesa nga kanë udhëtuar luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është pagëzuar “Shtegu i Lirisë”. Investimet janë bërë nga Qeveria e Republikës së Kosovës.
Pllakë përkujtimore e ngritur te “Likenet e Hasit”, në vendin e rënies së 41 dëshmorëve
Të premten, më 14 dhjetor 2018 u bë transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në Ushtri, e cila ndërlidhet me një datë tejet të rëndësishme për historinë e Kosovës, ku pikërisht më 14 dhjetor të vitit 1998 në kufirin shqiptar ra dëshmorë Mujë Krasniqi, së bashku me 40 luftëtarët e tij. (Vijon)