Lirimi i Pantiqit, Abazi kritikon edhe qeverinë Kurti: Këtu ka dështuar i gjithë zinxhiri institucional
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi, ka dalë kundër retorikës së partisë së tij për lirimin nga paraburgimi të Dejan Pantiqit, teksa ka akuzuar gjyqtarin për lirimin e ish-policit serb.
Me anë të një postimi në “Facebook”, Abazi ka thënë se ka rëndësi të madhe të përqendrohemi tek veprimi, dhe jo deklarimi e frazat.
“Ka rëndësi veprimi jo deklarimi dhe frazat. Reformimi i qeverisë dhe reformimi i gjyqësorit është imperativ urgjent dhe prioritet . Lëshimi i Pantiqi në arrest shtëpiak është dështim i gjithë zinxhirit institucional. Nuk bëhet shteti me njerëz që kanë privatizuar e kanë kriminalizuar sektorët vital në të kaluarën. Ne kemi marrë besimin për ndryshim dhe jo tolerim të avazit të vjetër. Sa bëni luftë e linçim të atyre që nuk mendojnë njëjtë dhe angazhoni luftë speciale kundër atyre që nuk mendojnë sikur Mihaili do të duhej të sqaroni pse keni adaptuar metodat e njëjta sikur këta që ishin në qeverisje të vendit deri para dy viteve!”, ka shkruar Abazi.