Lirinë e ndjeva në Prekaz, aty ku më ka ngrohur flaka e saj
Shefik Surdulli
Asnjëherë nuk kisha qenë në Drenicë. Këtë copë Kosovë e Shqipërie, këtë vend arenë të luftërave të ashpra e të lavdisë sonë, e njihja vetëm nga librat, nga rrëfimet e odave dhe përmes këngëve të rapsodëve.
Një ditë, kur Kosova dhe populli i saj po këndellej dhe po e kuptonte se është nën robëri, thanë se u kall lufta në Prekaz.
Në atë kohë, populli po izolohej duke shkuar drejt një terri informativ, drejt një lufte speciale të paparë.
Çka s’flitej e s’dëgjohej për ato vringëllima armësh mes forcave serbe dhe një familjeje shqiptare me nam.
Nga krejt ajo rrëmujë lajmesh për sulmin në Prekaz, për ne vetëm një gjë kishte rëndësi: doli një shqiptar që po ia kthen pushkën Serbisë, për të mbrojtur pragun e shtëpisë, për t’i dalë zot nderit e atdheut.
Për Serbinë ishte e rëndë kjo, ndërkaq për shqiptarët ishte sihariq – rikthim i një krenarie gati të humbur!
Nganjëherë nuk mund ta imagjinoja! Si ka mundësi në këso rrethanash kur Kosova ishte nën një rrethim të hekurt ushtarak, të dalë dikush e t’i kundërvihet Serbisë me aq zjarr! Nuk do të më shkonte mendja se edhe vet do të gjendem aty, ku pak kohë më parë ishte zhvilluar një beteje e paparë, ku akoma po i vinte era barotit, e gëzhojat e predhave po dukeshin kudo.
Jo shumë kohë pas atij sulmi të forcave serbe mbi familjen e Adem Jasharit, në Prekaz të Drenicës, në vitin 1992, bashkë me dy miq të mi (Nazmi Musa dhe Sabit Rrustemi), isha mu në atë Kullë, në kullën legjendë të historisë.
I ulur pranë oxhakut të Kullës, me revolverin që i dukej nën jastëk, Bacë Shabani po na tregonte me një entuziazëm dhe krenari për zhvillimet e asaj lufte. Po na rrëfente për luftimet dhe qëndresën e tyre, të bijve; Ademit, Hamzës dhe luftëtarëve të tjerë. Na tregonte shumëçka, për atë natë trishtimi, sesi krisi pushka dhe si u ndal, madje e zuri në gojë edhe “bunkerin”, duke shpërfaqur kështu besnikërinë shqiptare, edhe para miqve të “largët”.
Në një moment, i ndërhyri Nënë Zahidja, me një buzëqeshje fisnore: “Ore, mos i trego të gjitha për djemtë…!”. “Nazmiu, nuk më vjen në konak me këdo”, – ia ktheu të shoqes, Bacë Shabani, me një besë dhe siguri për atë që po na tregonte.
Pas bisedave të gjata dhe pas bukës që na shtroi me bujari kjo familje e madhe, e lëshuam Prekazin, për ta dëgjuar më vonë namin e saj prej një familje embleme e luftës vetëmohuese për liri, për të cilën do të dëgjojë edhe bota.
Aty e pashë dhe besova se Kosova pakthyeshëm kishte marrë udhën e lirisë. Aty kuptova se, rrëfimet për luftërat e mëdha në Drenicë, trimërinë dhe heroizmin e luftëtarëve, si: Hasan Prishtina, Ahmet Delia, Azem Bejta, Adem Gllavica, Tahir Meha, e shumë të tjerë, nuk ishin të hiperbolizuara, por ishin të njëmendta dhe reale.
Në këtë njëzetvjetor të rënies heroike të komandantit legjendar të UÇK-së, Adem Jashari, me familjen e tij, nuk duhet të ketë asnjë mëdyshje, se pa veprimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pa aktin heroik të Adem Jasharit dhe familjes së tij, akt ky unik i cili e detyroi ndërhyrjen ushtarake të NATO-s në krye me ShBA-në, Kosova nuk do të çlirohej dhe nuk do ta fitonte lirinë.