Lirohet nga akuza ministri Valdrin Lluka
Gjykata e Prishtinës ka shpallur aktgjykimin në rastin e ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, i akuzuar për konflikt të interesit.
Gjykata e ka liruar nga akuza ministrin Lluka. Ministri Lluka nuk ishte i pranishëm gjatë shpalljes së aktgjykimit, por më pas ka ardhur.
Në këtë proces gjyqësor akuzohet edhe Eliana Naka për të njëjtën vepër penale. Ajo është shpallur fajtore.
Naka është dënuar me gjobë prej 7 mijë euro, e cila sipas kryetarit të trupit gjykues, Hamdi Ibrahimi, duhet të paguhet brenda 15 ditëve pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.
Sipas aktakuzës, tani ministri Lluka në cilësinë e zyrtarit në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë më 23 maj 2014, ka vepruar në kundërshtim me ligjin, ashtu që ka kërkuar që të fillojnë procedurat për zotimin e mjeteve prej 20 mijë euro për OJQ-në “Jakova Innovation Center”, në të cilën OJQ, ka qenë themeluesi dhe njëkohësisht ka pasur edhe pozitën e kryeshefit të Agjencisë për Promovimin e Investimeve.
Për konflikt të interesit në këtë rast akuzohet edhe Eliana Naka e cila sipas aktakuzës, si sekretare e përgjithshme e MTI-së më 2 qershor 2014 duke vepruar në kundërshtim me ligjin, ka marrë vendim që mjetet financiare në vlerë të përgjithshme prej 20 mijë eurove të ndahen në mbështetje të OJQ-së në të cilën ka qenë drejtoreshë e bordit.
Në dhjetor të vitit të kaluar, ministri Lluka ishte deklaruar i pafajshëm në aktakuzën e Prokurorisë. /kallxo.com/