Lirohet serbi i ndaluar në kufi, Policia thotë se ka vjedhur para
Kryenegociatori i Serbisë në dialogun me Kosovën, Petar Petkoviq, është përpjekur të propagandojë me rastin e ndalimit të një serbi në pikëkalimin kufitar në Jarinjë.
Policia tha se e ka ndaluar e më pas e ka liruar një 72-vjeçar nga Beogradi për vjedhje parash, ndërsa Petkoviq tha se Policia e arrestoi me kërcënim për një kontest pronësor në Pejë.
Petkoviq reagoi rreth orës 15:00 për këtë rast, duke shkruar se ai po shkonte në Pejë për një seancë dëgjimore lidhur me zgjidhjen e një mosmarrëveshjeje pronësore.
“Përkundër faktit se BB ka operuar shtyllën kurrizore dhe vuan nga tensioni i lartë i gjakut, për shkak të veprimeve të Policisë së Kosovës nuk ka mundur të marrë as një qese me barna”, tha Petkoviq, duke thënë se e ka angazhuar një ekip avokatësh për mbrojtjen e tij.
Petkoviq tha po ashtu se për këtë e ka njoftuar të dërguarin e Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Policia e Kosovës: U arrestua me urdhër të gjykatës me akuzën e përvetësimit të pasurisë
Zëvendëskomandanti i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, i ka thënë mediumit serb, Kossev, se 72-vjeçari serb është ndaluar në Jarinjë dhe se me vendim të gjykatës është transferuar në Drenas për shkak të akuzave për përvetësim të pasurisë, gjegjësisht një shume të vogël parash.
“Ka qenë një çështje e vogël, por nuk e gjetën dot, kështu që u fut në listën e ndalesave”, tha Elshani.
72-vjeçari është marrë në pyetje në Drenas pikërisht në lidhje me akuzat për përvetësim të pronës, pas së cilës është liruar.
Petkoviq: U lirua pas ndërhyrjes së Beogradit
Ndërkohë, Petkoviq foli sërisht, duke thënë se serbi u lirua “pas një aksioni politik dhe diplomatik të Beogradit”.
“A do t’i kërkojë dikush falje atij dhe familjes së tij për stresin që kanë pësuar dhe do të mbajë përgjegjësi për të?”, pyeti Petkoviq.