Lisa Magno bëri betimin si drejtoreshë e misionit të USAID-it në Kosovë
Lisa Magno ka bërë të premten betimin si drejtoreshë e misionit të USAID-it në Kosovë në një ceremoni të udhëhequr nga ambasadori i ShBA-ve në Kosovë, Greg Delawie.
Në këtë ceremoni, e cila për herë të parë mbahet në Prishtinë, morën pjesë ndihmësadministratori i USAID-it për Europë dhe Euroazi, Brock Bierman, kryeministri Ramush Haradinaj si dhe zyrtarë të tjerë të Kosovës dhe të Ambasadës së ShBA-ve në Prishtinë.
Në fjalën e tij, ambasadori Delawie ka shprehur lëvdata për shkathtësitë profesionale të znj. Magno të treguara gjatë mandatit të saj në Kosovë si zëvendësdrejtoreshë e misionit të USAID-it si dhe në punën e saj të mëhershme me USAID-in në Filipine, Guatemalë, Afganistan dhe më rishtazi në Uashington ku ajo shërbeu në cilësinë e zyrtares mbikëqyrëse të programeve dhe ushtrueses së detyrës së zëvendësadministratores për Zyrën e Evropës dhe Euroazisë.
Ambasadori Delawie vuri në pah rolin e USAID-it në zhvillimin e Kosovës përmes partneriteteve të tij me Qeverinë e Kosovës dhe organizatat e shoqërisë civile për forcimin e sistemit politik dhe atij të drejtësisë në vend, ndërtimin e institucioneve stabile, nxitjen e një shoqërie civile dinamike dhe të zhvillimit ekonomik.
/Epoka e re/