LISI
Shkruan: Agim Dobruna
Malet e Gërmisë në afërsi të Prishtinës kanë një sipërfaqe prej rreth pesëmijë hektarë. Mund të konsiderohen si mushkëritë e kryeqytetit dhe në fakt janë të tilla. Për fat u ruajtën të pa dëmtuara. Parku i këtyre maleve ka shtigje të shënuara dhe të rregulluara për rekreacion. Diçka e veçantë që mund të ndeshni janë disa tabela të vendosura përgjatë shtigjeve, në të cilat me fotografi dhe tekst jepen shpjegime për florën e faunën e atyshme.
Një ditë, deri sa po ecja këtyre shtigjeve, më bëri përshtypje njëra prej fotografive me tekstin vijues:
“Fara e bungut quhet lena e bungut”
Në fakt, bungu fillon te prodhojë lenën nga mosha e njëzetë deri në atë pesëdhjetëvjeçare. Bungu mund të prodhojë mesatarisht rreth dymijë lena në vit. Çdo pesë vjet njëra prej tyre mund të lëshojë rrënjë e të bëhet farë e lisit. Pra, vetëm njëra ndër dhjetëmijë lenat mund të mbijë e të zhvillohet në dru lisi.
Fjalia e mësipërme ma kujtoi lisin në oborrin e shtëpisë së prindërve të mi, që kishte mbirë vetvetiu para tridhjetë vjetësh. Babai im e konsideronte si një shenjë. Thoshte se këtu ndonjë zog do ta ketë sjellë lenën, e cila u zhvillua në lis. Ky lis jam unë, thoshte ai. Janë të njohura shkrime e trajtime në këtë temë që njihet si reinkarnacion e që i bie se shpirti i një krijese vazhdon të jetojë pas vdekjes duke kaluar në një bimë a gjallesë tjetër.
Drenica njihet për anekdotat dhe prozën popullore. Babai im ishte njohës dhe interpretues i mirë i tyre. Njëherë më pat treguar ngjarjen si më poshtë:
“Një ditë erdhi për vizitë një nip i familjes nga një fshat i Drenicës. Pasi u përshëndetëm ai tha se po ndërtonte një shtëpi. Muret tashmë i kishte përfunduar dhe po merrej me kulmin. Por, këtu kishte ngecur puna sepse i mungonte një lis, që do të përpunohej në traun kryesor bartës të kulmit. Përkundër asaj që ne në atë kohë kishim mbi pesëmbëdhjetë hektarë tokë, përfshirë edhe malet, nuk arritëm të gjejmë një lis të madh e të përshtatshëm. Zgjidhjen menduam ta bëjmë duke iu drejtuar fqinjit Abaz, me të cilin na ndante vetëm rruga. Familja e tij kishte pasuri, ndërsa vet plaku Abaz, në moshë të thyer, shquhej si një punëtor i jashtëzakonshëm.”
Unë personalisht kam vërejtur se njerëzit që janë punëtorë të mëdhenj dinë të bëhen edhe pakëz koprracë. Me të drejtë, gjykoj unë.
“Shkuam te xha Abazi” vazhdonte tregimin babai, “dhe pas mikpritjes sipas traditave i treguam për hallin e nipit. Ai na dëgjoi me vëmendje dhe u përgjigj në stilin e tij origjinal: Heee sa lehtë e thotë ky nipi, djalë i ri, a ma falë një lis…”
Njerëzit e urtë si axha Abaz shfrytëzonin momente të tilla, që të rinjve në moshë t’u mbanin leksione mbi jetën dhe vështirësitë që sjell ajo.
“Ky nipi nuk e bën me mend që ai lis ka qenë njëherë lenë dhe i ka shpëtuar thiut, kaprollit, deles dhisë, ketrit, thatësisë, lagështisë, acarit dhe ka mbirë e është bërë pip. Si pip përsëri ka shpëtuar pa u ngrënë nga po të njëjtit. Më vonë është rritur e bërë i përshtatshëm për thupër të bariut, por ka shpëtuar, njëjtë siç i ka shpëtuar edhe ndonjë thurësi të koshereve, koshave etj. Pastaj trupi i tij u rrit e u i bë i përshtatshëm për bastun plaku, por i shpëtoi edhe atij. Ishte e nevojshme të kalojnë vite të tëra, me vuajtje e mundime që të bëhej lis, e nipi yt më thotë me aq lehtësi: “dajë, a ma jep një lis?” Lisi nuk është – veç hajt – një lis!”, përfundonte tregimi i babait për urtësitë e xha Abazit.
Zhvendosur në aktualitetin e sotëm, pyes veten: po Dardania, fatin e sa e sa lisave bartë mbi supet e veta? Sot, kur nga të katër anët i kërkohet fati i lisit tonë, pyes veten nëse prapë duhen të japim lisa të tjerë që t’i kënaqim ambiciet e tjerëve për më shumë “hapësirë jetësore”?
S.Z. \ Epoka e re