Lista e përbashkët do t’i fuqizojë shqiptarët e Luginës
Kryetari i Partisë për Veprim Demokratik (PVD), Shaip Kamberi, ka deklaruar se shqiptarët e Luginës së Preshevës mund të fuqizohen politikisht në zgjedhjet e përgjithshme të Serbisë të cilat do të mbahen më 21 qershor. Ai ka bërë me dije se bashkimi i pesë subjekteve politike shqiptare në një listë të përbashkët zgjedhore në këto zgjedhje ka shtuar gjasat që shqiptarët të përfaqësohen me tre deputetë në parlamentin serb.
Në këtë intervistë dhënë gazetës “Epoka e re”, ai ka deklaruar se vetëm në këtë mënyrë mund t`i imponohen qeverisë së re të Serbisë për zgjidhjen e problemeve të shqiptarëve në këtë rajon. “Synimi i këtij bashkimi në një listë është të arrijmë më tepër mandate të mundshme të përfaqësimit në nivel qendror. Deri më tani kemi qenë të përfaqësuar me një, rrallëherë me dy deputetë. Këtë herë, për shkak të numrit më të madh të subjekteve pjesëmarrëse, synojmë tre mandate. Kjo do të rrisë fuqinë tonë politike dhe përfaqësuese dhe shpresojmë t’i imponohemi qeverisë qendrore për partneritet për zgjidhjen e problemeve tona”, ka thënë Kamberi.
Kamberi, i cili është edhe kryetar i Komunës së Bujanocit, ka vlerësuar se arritja e këtij synimi nuk është e lehtë, duke shtuar se kjo do të varet nga disa faktorë. Kamberi ka deklaruar se shqiptarët e Luginës duhet të dalin sa më shumë në këto zgjedhje.
“Megjithatë, kjo nuk është një çështje absolute, meqë rezultati përfundimtar varet nga shumë faktorë: numri i qytetarëve shqiptarë që dalin në zgjedhje, votat valide që mbeten për numrin e që janë relevante për ta përcaktuar kuotën mesatare për një mandat, por në radhë të parë rezultati ynë do të varet nga serioziteti i partive nënshkruese me të cilat do t’i qasemi këtij procesi”, ka deklaruar ai, duke shtuar se këto subjekte politike duhet të jenë shumë aktive për ta bindur elektoratin për ta përkrahur këtë listë të përbashkët.
Kamberi ka treguar se partitë shqiptare (PVD, APN, PD, LPD e LR) do të garojnë me një listë të përbashkët me 11 kandidatë nën emërtimin “Alternativa e Demokratike Shqiptare – Lugina e Bashkuar”. Në këtë intervistë ai ka folur edhe për vendimin e Qeverisë së Kosovës për heqjen e reciprocitetit me Serbinë dhe për pritjet që kanë shqiptarët e Luginës për qeverinë Hoti.
“Epoka e re”: Z. Kamberi, Qeveria e Kosovës sot ka hequr reciprocitetin ndaj Serbisë. Si e keni parë këtë veprim?
Kamberi: Reciprociteti si masë ndaj Serbisë duhet të jetë në funksion të shumë çështjeve të rëndësishme për Kosovën. Sipas nesh, reciprociteti me Serbinë duhet të jetë në funksion edhe për të drejtat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, të cilët këtë masë e shohim si mundësi të fundit që Kosova mund ta përdorë për ta “detyruar” Beogradin zyrtar që t’i respektojë të drejtat kolektive të shqiptarëve këtu, në nivel të njëjtë me ato që bën Kosova me pakicat e sidomos me pakicën serbe atje. Në këtë fazë fillimi i dialogut me Serbinë, i cili duhet të përfundojë me marrëveshje dypalëshe, ku do të trajtohen të gjitha temat me rëndësi jetike për Kosovën, në radhë të parë karrigia në OKB, reparacionet e luftës e shumë tema të tjera po shihet si prioritet i përgjithshëm. Prandaj, nëse heqja e reciprocitetit do të jetë vetëm e përkohshme dhe vetëm në funksion të eliminimit të pengesave që kanë stopuar dialogun, le t’i jepet rast dialogut. Por, duhet potencuar edhe faktin se heqja e reciprocitetit a nënkupton edhe ndërprerjen e fushatës negative të Serbisë që po bën për t’i arritur çnjohjet e pavarësisë së Kosovës.
“Epoka e re”: Cila duhet të jetë qasja e kësaj qeverie ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës?
Kamberi: Marrja drejtpërdrejtë e përgjegjësive për Luginën e Preshevës dhe një përkujdesje më e madhe. Në dialogun që duhet nisur, të krijojë hapësirë që Lugina e Preshevës të marrë trajtim nga i cili do të arrihet zgjidhja e drejtë dhe afatgjatë. Në aspektin e ndihmës financiare, qeveria duhet ose të ndërtojë fond të veçantë për Luginën ose të parashohë pikë të veçantë buxhetore për financimin e projekteve në Luginë të Preshevës.
“Epoka e re”: Z. Kamberi, zgjedhjet në Serbi do të mbahen në fund të këtij muaji. Sa është përgatitur faktori politik shqiptar për këtë proces?
Kamberi: Në zgjedhjet lokale, që do të mbahen vetëm në Bujanoc, partitë shqiptare do të garojnë ndaras. Janë paraqitur pesë lista të partive shqiptare që do të garojnë për një elektorat, i cili, realisht, mund të jetë pak mbi 12 000 votues. Në zgjedhjet parlamentare kësaj radhe pesë parti shqiptare (PVD, APN, PD, LPD e LR) garojnë me një listë të përbashkët, me 11 kandidatë, nën emërtimin “Alternativa Demokratike Shqiptare – Lugina e Bashkuar”.
“Epoka e re”: Çfarë ndikimi do të ketë tek elektorati shqiptar kjo listë e përbashkët?
Kamberi: Synimi i këtij bashkimi në një listë është të arrijmë më tepër mandate të mundshme të përfaqësimit në nivel qendror. Deri më tani kemi qenë të përfaqësuar me një, rrallëherë me dy deputetë. Kësaj radhe, për shkak të numrit më të madh të subjekteve pjesëmarrëse, synojmë tre mandate. Kjo do ta rrisë fuqinë tonë politike dhe përfaqësuese dhe shpresojmë t’i imponohemi qeverisë qendrore për partneritet për zgjidhjen e problemeve tona.
“Epoka e re”: Cila është oferta e kësaj liste të përbashkët për elektoratin shqiptar?
Kamberi: Ka tri marrëveshje politike të nënshkruara me autoritetet qendrore që faktori politik shqiptar në Luginë të Preshevës ka arritur t’i bëjë që nga viti 2001. Dokumenti i fundit është nga viti 2013, të cilin qeveria në Beograd e kishte aprovuar si kërkesë të partive politike shqiptare, por që asnjëherë nuk ka treguar vullnet për ta realizuar. Krijimi i kushteve për investitorë të huaj, duke subvencionuar me fonde të veçanta, meqë komunat tona janë më të pazhvilluarat, ngritja e nënpërfaqësimit të shqiptarëve nëpër institucione publike dhe shtetërore konform dispozitave që përcaktojnë proporcionalitetin me strukturën e popullsisë, zgjidhja e problemeve të shumta në arsim, janë vetëm disa nga temat që na presin për t’u trajtuar dhe gjetur zgjidhjen e duhur.
“Epoka e re”: Cilat janë pritjet e juaja për këto zgjedhje?
Kamberi: Synimi dhe mundësia jonë janë për tre mandate. Megjithatë, kjo nuk është një çështje absolute, meqë rezultati përfundimtar varet nga shumë faktorë: numri i qytetarëve shqiptarë që dalin në zgjedhje, votat valide që mbeten për numrin e që janë relevante për ta përcaktuar kuotën mesatare për një mandat, por në radhë të parë rezultati yonë do të varet nga serioziteti i partive nënshkruese me të cilin do t’i qasen këtij procesi. Sa do të jenë ato aktive për të bindur elektoratin e vet secila veç e veç, që të përkrahë këtë ide të ndihmuar nga Tirana, mbetet të shihet.
Muhamet KOCI